Nga Blendi Fevziu –
Tre ish Ministra pritet të hetohen për një aferë që ka ngjallur jo pak debate në politikën shqiptare dhe është bërë platforma e akuzave dhe kundërakuzave të muajve të fundit. Më shumë se aferë ajo është një megaaferë, ku janë ngjyer me të drejtë e pa të drejtë politikanë të të gjitha palëve. Ku janë vjedhur para me miliona, janë favorizuar biznese dhe individë që nga hiçi janë gdhirë brenda javës milionerë në dollarë. Cështja nis në vitin 2009 dhe përfundon diku në verën e vitit 2014. Ajo përfshin kohën kur Kompania CEZ mbërriti në Shqipëri, kohën kur ushtroi aktivitet e deri në momentin që çëshja u mbyll me një marrëveshje mes kompanisë dhe Qeverisë Shqiptare. Ajo që është befasuese në gjithë këtë histori është pranimi i të gjithëve që ky është një korrupsion dhe abuzim masiv dhe tentativa për ta devijuar atë. Përse e them këtë dhe përse kam bindjen që më shumë se sa zbardhjen e saj, politika po tenton përdorimin politik të çështjes.
Pak pas orës 16 në Prokurori mbërriti kallzimi i Ministrisë së Energjitikës për 3 ish ministra të PD, kallzim që ishte bërë më parë publik nga vetë qeveria. Prokuroria ende nuk e ka hapur dosjen, por deklarata e Ministrisë zbardh diçka. Ajo flet për përgjegjësi në procesin e privatizimit, në atë të favorizimit të kompanisë në vitet që ishte aktive në Shqipëri dhe së fundmi në mënyrën se si u zgjidh marrëveshja dhe se si veproi qeveria në këtë drejtim. Për të gjitha këto, Ministria kë të drejtë të kontrollojë e të ngrejë padi; ka të drejtë të akuzojë dhe të padisë ata që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin ose kanë përfituar nga ky proçes korruptiv. Por mënyra se si bëhet duket më shumë një akt politik se sa një tentativë për të hedhur dritë realisht mbi atë që ka ndodhur. Eshtë ose një gafë me qëllim, ose një lëvizje diabolike e përllogaritur mirë, vënia përpara përgjegjësisë e 3 ministrave dhe lënia jashtë e 4 të tjerëve. Genc Ruli ka qenë Ministër i Ekonomisë në vitin 2009. Florian Mima në vitin 2013. Në këtë interval prej 4 vitesh, që përfshihet edhe brenda akuzës, Ministra të Ekonomisë kanë qenë Dritan Prifti, Ilir Meta, Nasip Naço e Edmond Haxhinasto. Edhe pse kallzimi përfshin veprime që janë bërë brenda kësaj kohe, ai nuk flet për asnjë nga Ministrat e LSI që sot janë pjesë e Qeverisë në koalicion me PS. Madje heqja e liçensës së CEZ, konflikti me qeverinë, marrja në dorëzim nga shteti e caktimi i një administratori prej saj është bërë pikërisht në kohën që Ministër i Ekonomisë ishte Haxhinasto i LSI. I gjithë dokumentacioni i publikuar në emisionin OPINION tregon edhe korrespondencën që Ministria ka pasur me studiot ligjore franceze për këtë çështje. Ky proces nis në fillim nëntor 2012 dhe mbaron në fund Janari 2013. Mima mbërriti si Ministër në fillim Prilli 2013!?
Atëherë përse Ministria e Energjitikës lë jashtë këta 4 ministra?! Nëse drejtuesit e Ministrisë kanë përgjegjësi për këtë kohë, ata e kanë të gjithë bashkë. Atëherë ose Ministria po bën një lëvizje thjeshtë zhurmuese si kundërpërgjigje ndaj padisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe po hedh më shumë tym mbi çështjen; ose ajo po tenton që përmes akuzës, edhe pa përmendur emrat, të cojë në prokurori edhe Ministrat e LSI. Kur Prokuroria të marrë në dorëzim dosjen, s’ka asnjë dyshim që me atë kallzim veç 3 ministrave do marrë në shqyrtim edhe administrimin e LSI. Pra, Gjiknuri po i çon në Prokurori edhe Metën e Haxhinaston, thjeshtë pa ju përmendur emrat.
Në fakt, do ishte shumë mirë që në këtë dosje të përfshiheshin të gjithë ata që kanë përgjegjësi për çështjen CEZ, të PD, PS apo LSI; Të përfshiheshin ata që negociuan dhe mbyllën çështjen CEZ siç shprehet Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ata që e “molën” CEZ për përfirime vetjake apo partiake. Pra, të dënohen të gjithë ata që janë hajdutë të vërtetë në këtë aferë! Pak javë më parë u kërkua një hetim ndërkombëtar për çështjen CEZ. Përtej problemit procedurial, politika mund të konfirmonte vullnetin e saj duke votuar pro, por mazhoranca (pa një pjesë të LSI) votoi kundër. Pra votoi për të mbyllur çështjen. Nëse donte mund ta hapte atëherë. Kjo hapje e tillë, edhe pse nuk i bën keq në thelb duket më shumë një tjetër tentativë për ta kthyer në debat politik, një çështje që në thelb është shkelje e pastër e ligjit dhe abuzim me të!
Ndaj pyetja normale që vjen në këtë rast është fare e tjeshtë: Do realisht kjo mazhorancë të zbardhi çështjen apo thjeshtë po i bën presion PD dhe LSI duke hyrë edhe një herë në një debat shterpë politik. Një debat ku hajduti, zakonisht bërtet: Kapeni hajdutin!
Blendi Fevziu