Qeveria greke ka miratuar së fundit një ligj të ri për emigracionin, prej të cilit preken edhe emigrantët shqiptarë. Ligji parashikon një sërë lehtësirash për marrjen e nënshtetësisë. Por sekretari i shtetit grek për politikën dhe emigracionin Vasilis Papadopulos, flet në një intervistë ekskluzive për gazetarin e ABC News, për vështirësitë që po has Greqia në zbatimin e ligjit.
Qeveria greke miratoi muajt e fundit një ligj shtesë për emigracionin. Ligji mundëson marrjen e nënshtetësisë greke sidomos për fëmijët që kanë lindur apo kanë kryer 9 vjet shkollë në Greqi, ndërsa u jep një shans të ri për të rifituar statusin e ligjshëm, emigrantëve që kishin humbur lejet e qëndrimit. Por edhe emigrantë që nuk kishin patur kurrë më parë leje qëndrimi mund të legalizohen, me kusht që të dëshmojnë se ndodhen në Greqi 7 vitet e fundit. Pas disa shtyrjeve, ligji i ri filloi të zbatohet në mesin e tetorit, njëkohësisht me shtimin dramatik të numrit të refugjatëve që mbërrinin në ishujt grekë. Vasilis Papadopulos, sekretar shteti për politikën e emigracionit, thotë se autoritetet përpiqen që shërbimet ndaj emigrantëve të mos influencohen nga kriza e refugjatëve.
Papadopulos: Sigurisht, shqetësimi më i madh sot është përballimi i krizës së refugjatëve. Por ne gjithashtu jemi njëlloj të preokupuar që mos të mbetet i paligjshëm asnjë prej emigrantëve ekonomikë që jetojnë në Greqi.
Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e ABC News Robert Goro, sekretari i shtetit për politikën e emigracionit, përshkruan fillimisht se cilat janë problemet kryesore që janë vërejtur në zbatimin e ligjit të ri.
Papadopulos: Problemet në shërbimet tona gjithmonë ekzistojnë. U bë një përpjekje që të shtohet personeli në këto shërbime, aq sa mundeshim. Për momentin nuk ka probleme të mëdha në shërbimet e emigracionit. Sa i përket nënshtetësisë, ka një vonesë në zbatimin masiv të ligjit, d.m.th., ligji i ri ka nisur të zbatohet; por në pak raste, pse shumica ka të bëjë me menaxhimin e aplikimeve që ishin bërë që nga viti 2010.
Sipas ligjit të ri, emigrantët nga gjithë Greqia, që nuk kanë patur kurrë më parë leje qëndrimi, duhet të aplikojnë në shërbimet e ministrisë së brendshme, që ndodhen në zonën e Pireut. Sekretari Papadopulos thotë se pikërisht me këtë kategori vërehet problemi më i madh.
Papadopulos: Ka një problem më të madh, të cilin as ne nuk e kishim vlerësuar dhe që lidhet me aplikimet për leje për arsye të jashtëzakonshme që bëhen në shërbimet e ministrisë së brendshme. Ndërsa prisnim që numri më i madh i aplikimeve të bëhej në periferitë, për çudi, vërejmë një fluks shumë herë më të madh në Pire.
Ky fluks i madh dëshmon se, ka një numër të madh emigrantësh, shumica shqiptarë, të cilët gjithë këto vite kanë qëndruar në Greqi pa dokumenta. Mirëpo, që ata të marrin leje qëndrimi, nuk mjafton vetëm të kenë qenë në Greqi, por edhe ta vërtetojnë këtë.
Papadopulos: Ndërsa për emigrantët që nuk kanë patur kurrë leje qëndrimi, duhet të theksoj se do të avancojnë vetëm ato që dëshmojnë se kanë krijuar lidhje me vendin. Nëse aplikimi nuk mbështetet me të dhëna të dëshmuara se i interesuari ka lidhje me Greqinë, nuk do të avancojë aplikimi i tij./ 02,52
Para daljes së ligjit të ri, emigrantët që aplikonin për leje të jashtëzakonshme, ishin të ekspozuar përballë mundësisë së deportimit. Por tashmë kjo i përket të kaluarës, të paktën për ata emigrantë që përmbushin kushtet që në momentin e aplikimit.
Papadopulos: Nga 21 tetori që ka ndryshuar sistemi kompjuterik i ministrisë së brendshme, bëhet automatikisht një shënim tek vërtetimi që i jepet aplikuesit. Nëse vërtetimi shkruan që “pengon marrjen e vendimit për deportim nga vendi”, ky emigrant nuk ka problem nga policia. Nëse, në të kundërt, vërtetimi shkruan që “nuk pengon marrjen e vendimit për deportim nga vendi”, atëherë policia mund ta ndërmarrë largimin e tij, sepse për fat të keq, aplikimi ka problem.
Tani, sa u përket aplikimeve të mëparshme, ajo që është bërë nga ana jonë, është se i kemi kërkuar nga Policia Greke që në kuadrin e tolerancës dhe të faktit se shumica e aplikimeve që janë paraqitur – më shumë se 70%- janë pranuar; i kemi kërkuar pra, policisë, që të mos marrin masa kundër këtyre emigrantëve.