Celeste Karallambi, 17 vjeç, ishte gjimnaziste në shkollën e mesme në fshatin Libofshë të Fierit.
Vajza i dha fund jetës duke pirë fotoksinë mbrëmjen e së premtes, pasi prindërit nuk pranuan që vajza të fejohej me bashkëmoshatarin e saj.
Sipas gazetës “Panorama”, ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona së të premtes në Libofshë të Fierit, ku viktima Celeste Karallambi është gjetur në momentet e fundit të jetës nga prindërit e saj.
Ata kanë ndier të qarat dhe rënkimet e vajzës që vinin nga dhoma e saj. Por kur kanë shkuar për të parë se çfarë po ndodhte, e kanë gjetur atë në gjendje mjaft të rëndë.
Menjëherë ata e kanë çuar vajzën në spitalin e Fierit, por me gjithë përpjekjen e bluzave të bardha, adoleshentja ka ndërruar jetë rreth orës 22:00.
Sipas mjekëve, ajo kishte konsumuar sasi të madhe lënde helmuese, por edhe familjarët e saj e kanë zbuluar vonë atë çfarë kishte ndodhur, duke bërë që helmi të vepronte dhe ta bënte të paevitueshme vdekjen e saj.
Policia e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti në vend dhe nisi hetimin.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se 17vjeçarja ishte gjimnaziste në Libofshë.
Ajo prej disa kohësh u kishte kërkuar prindërve të saj të fejohej me një bashkëmoshatarin e saj. Por kjo nuk është pritur mirë prej tyre.
Ata e kanë mohuar këtë lidhje, duke i argumentuar vajzës që ishin ende të mitur dhe ishte herët që ata të vendosnin për një hap të tillë.
Lidhja është mohuar, ndonëse, sipas të dhënave, edhe djali ka qenë i gatshëm të shpallte fejesën me 17 vjeçaren, me të cilin kishin disa kohë të lidhur.
Adoleshentja më kot është përpjekur të bindte familjen.
Ata nuk kanë qenë dakord në asnjë moment dhe kjo dyshohet të ketë shkaktuar tek ajo ngarkesë psikologjike deri në vendimin fatal.