Prokurorët që po hetojnë grabitjen e 3,8 milion eurove në rrugën Tiranë-Rinas e kanë fokusuar punën e tyre tek veprimet e policëve privatë që po shoqëronin paratë.
Sipas tyre, nga hetimi i deritanishëm rezulton se 5 punonjësit tashmë të arrestuar, nuk kanë respektuar rregulloren, pasi automjeti i blinduar ku ndodheshin paratë nuk duhet të ndalonte. Sipas dëshmive të marra deri tani rezulton se grabitësit i kanë prerë rrugën automjetit dhe nuk i kanë bërë shenjë për të ndaluar.
Më pas nga makina kanë dalë 5 persona të armatosur ku dy prej tyre kanë kërcënuar më armë makinën shoqëruese. Ndërsa tre të tjerët fillmisht kanë thyer me mjete të forta xhamat e mjetit të blinduar.
Ata kanë hapur një vrimë të mjaftueshme për të futur tytën e automatikut dhe kanë kërcenuar shoferin që të hapë dyert nga brenda. Kjo ka zgjatur më shumë se 1 minutë e 30 sekonda. Pikërisht këtu grupi hetimor ngre pikëpyetje mbi veprimet e personave që ruanin paratë.
Këto 90 sekonda ishin të mjaftueshëm për rojet që shoferi të levizte mjetin, pasi kishin kuptuar se ishin pre e një grabitjeje. Ata nuk rrezikonin asgjë pasi makina ku ndodheshin përballon plumbat e kallshnikovit.
Por nga marrja në pyetje ata kanë deklaruar se nuk kanë patur kohë të reagojnë pasi makina e grabitësve kishte shenjat e policisë dhe ata vetë ishin veshur me uniforma policie.
Por në dëshmitë e tyre ka dhe moment ku ata nuk thonë të njëjtat gjëra pavarësisht se kanë qënë në të njejtën ngjarje .
Tre prej punonjësve të arrestuar, thonë se makina me të cilën grabitësit i kanë zënë rrugën, ka qenë me mbishkrim policie. Dy të tjerët e mohojnë këtë fakt.
Ndërkohë edhe në përshkrimin e veshjeve, dy nga efektivët thonë se grabitësit ishin me rroba të ngjashme me ato të policisë e me maska. Por 4 nga të arrestuarit e tjerë, thonë se grabitësit ishin me veshje sportive dhe me maskë në kokë.
Kur ka kaluar me shumë se një javë nga grabitja spektakolare detajet per autorët e kësaj ngjarje janë të pakta. Ata nuk kanë lënë asnjë shenjë ne vendin ku kryen grabitjen,por as në vendin ku dogjën makinën e tyre.
Sipas hetuesve autorët kanë patur informacione të mjaftueshme për ditën dhe orën kur do kryhej trasporti dhe shumën e parave. Por deri tani nuk është përftuar asnjë detaj se nga ku ka rrjedhur ky inofrmacion, nga policia private apo punonjësit e bankës.
Tv Klan