11 Dhjetor 1990! Mbremje
Në ora 20.00 TV transmetoi vendimet e plenumit të KQ dhe lajmin se presidenti Alia vazhdon bisedimet me përfaqësinë e studentëve. Ishin dy orët më të bukura. Qindra mijëra pishtarë prej letre shoqëronin thirrjet në korr “Poshtë diktatura”, “Liri demokraci”, “Poshtë Xhelil Gjoni”, “Hekuran-Sllobodan”, “Enver-Hitler”, “Poshtë dinastia”. Rreth 60.000 vetë këndonin me zë këngët e vjetra patriotike të pavarësisë : “Se mjaft në robëri, o moj e mjera Shqipëri”, si dhe “Himnin e flamurit”. Një flamur, pa yll, nga ata që kanë përdorur çetat partizane tundej në duart e Edvin Shvarcit.
Vonë, afër mesnatës, kur mes dritave të pishtarëve përfaqësia u kthye nga takimi me presidentin, me flamurin me shqiponjë, studentwt e ndjenë se së paku de jure me lëvizjen e tyre e kishin fituar pluralizmin, mungesa e të cilit pak javë më parë na la të vetëm e të përçmuar, jashtë Evropës së qytetëruar.
Për tre orë të tjera dëgjuan të regjistruar bisedën e Ramiz Alisë me studentët. Impresioni i parë ishte i tmerrshëm. Rreth orës dy biseda e incizuar mbaroi. Të gjithë besonin se përfaqësinë e kishin mashtruar. Ndoshta sepse askush nuk e dinte se çfarë kërkonim ne realisht.
Në fund, Arben Imami njoftoi se, siç ishte vendosur, nesër do të krijohej një parti e dytë. Thirrja e tij:
“Nesër do të krijohet një parti e dytë”, ishte më shumë një ulërimë plot triumf!
Dukej se ajo mbështillte gjithë pasionin dhe dhimbjen e diktaturës së gjatë komuniste. Mos u mërzisni tha ai. Është hera e parë që një përfaqësi studentësh takohet me Sekretarin e Parë të PPSH-së dhe i imponon vullnetin e saj. Kjo nuk është e vogël.
-Nuk mjafton, nuk mjafton,- thërrisnin nga turma.
Rreshtat e parë kishin nisur të tundnin grushtat. Kërkonin shkaktarët e dhunës mbi studentët, Xhelil Gjonin dhe Hekuran Isain. Azemi ndërhyri disa herë për t’i qetësuar duke kërkuar të shpërndahen dhe të nesërmen të shkojnë në shkollë. Turma nuk pranonte. Punëtorët nisën të thërrisnin. Një parti studentësh i përjashtonte ata nga anëtarësia. Të dëshpëruar rreshtat e fundit kishin nisur të iknin. Grumbulli i madh po shthurej e po shpërndahej, me bindjen se të nesërmen do të ishin përsëri aty. Vetëm rreth 3 000 studentë, të irrituar nga përfundimet e bisedimeve nuk pranonin të largoheshin.
Një orë më vonë gjithçka kishte marrë fund. Të lodhur dhe të pagjumë njerëzit largoheshin me rreshta të gjatë.
Pothuaj askush, nuk e dinte ç’po ndodhte atë natë. Diku, në një dhomë të errët, po përgatitej opozita e parë pas 66 vjet diktature në Shqipëri. Opozita që do t’i impononte Shqipërisë një lojë të re dhe krejt të ndryshme politike.
Nata midis 11 – 12 dhjetorit 1990,
godina 18 e Qytetit Studenti
Po si lindi Partia e re? Partia Demokratike? Ç‘kish ndodhur në ndërkohën nga takimi me Alinë deri tek deklarimi i Imamit se nesër do të krijohet një Parti e dytë! Përse Shoqata e Studentëve u shndërrua në Parti. Përse partia nuk u krijua të nesërmen, por atë natë vonë në Qytetin Studenti? Kush mori pjesë në themelimin e saj dhe si lindi emri PD? Një orë më parë, në takimin me Alinë, Azem Hajdari kish deklaruar: Ju flas në emër të Organizatës së Studentëve dhe intelektualëve të rinj! Ç‘kish ndodhur nga kjo deklaratë e Azemit deri tek deklarimi një orë më vonë i Imamit? Asnjë nuk di ta thotë këtë. I vetmi deklarim është ai i Arben Imamit bërë në vitin 1994, kur sqaroi se vendimi për ta ndryshuar nga shoqatë në parti, u mor në një farë mënyrë në autobuzin që po kthehnte përfaqësinë në Qytetin Studenti dhe pas thirrjeve të forta të një grupi të madh që në qendër thërriste: Parti Demokratike! Parti Demokratike!.
Vite më vonë, Imami ka sqaruar se deklarimi i tij se sot do të ketë një parti të dytë, ka qenë më shumë spontan se sa i menduar.
Në kaosin dhe kundërshtimet e provokuara nga studentët që kërkonin dënimin e Hekuran Isait, një grup i vogël njerëzish u mbledhën në godinën numër 18 të Qytetit Studenti. Arben Imami sqaron sërish se në momentin që hynë në dhomë, ai iu drejtua Sali Berishës, si personaliteti më i njohur mes tyre:
– Doktor, ç’do bëjmë tani?
– Do bëjmë atë që premtove, Ben, do krijojmë parti!
Ajo mbeti një histori e panjohur mirë, e marrë në nxitim e sipër. Procesverbale nuk u mbajtën dhe dokumenti i parë që daton i PD, i takon mbledhjes së 36 orëve më pas, mëngjesin e herët të datës 13 dhjetor. Ai moment mbeti disi i panjohur, Siç mbetet i panjohur fakti se përse menjëherë pas Imamit e mori fjalën Sali Berisha me një fjalim të shkurtër. Sikur të sanksiononte faktin që ai do të bëhej lideri real i partisë së re. Një fjalim në të cilin Berisha deklaroi vetëm pak fjalë, më të rëndësishmet prej të cilave ato se partitë dhe feja, nuk e përçajnë, por e bashkojnë kombin.
Të gjitha ata që kanë qenë atë natë aty deklarojnë të njëjtën gjë. Pas deklaratës së Imamit, ata që mundën, ata që qenë më afër dhe u gjendën aty, hynë në një dhomë të godinës 18. Në takim merrnin pjesë Arben Imami, Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Besnik Mustafaj, Tefalin Malshyti, Blendi Gonxhe, Shinasi Rama, Edmond Budina dhe disa të tjerë. Sali Berisha e kujton kështu atë moment: “Jemi futur në katin e dytë të godinës 18 dhe kemi vendosur të krijojmë partinë. E kemi quajtur Partia Demokratike.”
Dëshmia e tij ngjan shumë më atë të Gramoz Pashkos: Atje vendosëm që në vend të një shoqate të krijonim një parti dhe u fiksua që do ta quanim Parti Demokratike.”
Preç Zogaj, sqaron pak e shumë të njëjtën gjë. Atë që Partia u krijua në rrëmujë e sipër dhe që debati më i madh qe ai për përfaqësuesit e partisë.
Mbledhja vijoi deri në orët e para të mëngjesit dhe të nesërmen u la të vijonte në shtëpinë e Gramoz Pashkos ku do shkruhej programi minimal. Ai ishte i vetmi që kishte një kompjuter. Në fakt, debatet për partinë, vijuan edhe një ditë më pas. Aleksandër Meksi, një arkeolog që u u bë bashkëhartues i programit të PD të nesërmen e kujton kështu atë ditë: “Ju thashë që në asnjë vend nuk ka parti studentësh, kjo është marrëzi. Të nesërmen në ora 08.00 Gramoz Pashko më prezantoi me dy vetë. Njëri ishte Azem hajdari, tjetri Arben Imami.”
Në fakt, asnjëri nuk e dinte se si ishte një program partie Gramoz Pashko kujtonte në një intervistë të vitit 2004: “Ne kishim fare pak njohuri dhe kemi bredhur gjithë natën për të gjetur të dhëna. Në fakt, programi i parë ishte adoptim i kartës së Kopenhagenit.”
PD dhe Intelektualët
Nga rrugë, drejtime, bindje dhe shtysa të ndryshme kishin mbërritur në Qytetin Studenti intelektualë që do të formonin opozitën e parë antikomuniste në shqipëri.
Më 10 dhjetor qe ngjitur lart, Gramoz Pashko. Ai vinte nga një diskutim i gjatë në shtëpi, ku qenë strehuar natën e mëparme disa studentë demonstrues. Ora ishte gati 7.00. Studentët e tjerë që vinin nga shtëpitë ku kishin kaluar natën pas demostratës e vështruan të habitur. Pa dyshim edhe me entuziazëm. Pashko ishte një ndër emrat më të njohur e më të lakuar ato muaj në Shqipëri. E padyshim një shpresë e madhe. Një muaj më parë në një intervistë që i kishte dhënë VOA-s me rastin e ikjes së Kadaresë, Gramoz Pashko kishte sulmuar hapur regjimin. Në rolin e Kasandrës ai kishte parashikuar rrëzimin e tij dhe kishte bërë thirrje për ndryshime të shpejta. Askush s’kishte qenë deri atë ditë aq i guximshëm dhe i drejtëpërdrejtë sa ai. Reagimi ndaj tij kishte qenë i shpejtë, por diktatura nuk kafshonte dot më. Pashko e kishte kuptuar tashmë, që ajo natë, kishte qenë dita e parë e rënies së një regjimi, të cilit ai ia kishte parandjerë të ardhmen. Dhe ishte nisur drejt Qytetit Studenti, padyshim i bindur se po shkonte drejt një Shqipërie të re.
Sali Berisha dhe Besnik Mustafaj qenë ngjitur në Qytetin Studenti direkt pas demostratës së datës 9 dhjetor, për t’ju shkuar në ndihmë studentëve të dëmtuar. Sali Berisha u bë mbrëmjen e 11 dhjetorit vonë, një prej themeluesve të PD-së, ndërsa Besnik Mustafaj, po themelues i PD-së, u largua disa ditë më pas për t’u bërë themelues i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Mëngjesin e 10 dhjetorit, e më vonë deri më 12 dhjetor në mëngjes, një grup intelektualësh pedagogë u bënë jo vetëm mbështetës, por edhe ideatorë të Lëvizjes Studentore. Midis tyre: Arben Imami, profesor i Regjisurës dhe padyshim një ndër njerëzit kyç në atë lëvizje dhe në krijimin e PD-së, njeriu që lexoi programin e parë minimal të saj dhe që regjistroi më pas një karrierë brilante politike; Arben Demeti, pedagog i Mekanikës dhe pjesëmarrës në takimin me Ramiz Alinë; Edmond Trako, pedagog i Mjekësisë, më pas diplomat; Eduart Selami, pedagog i Estektikës; Edmond Budina, pedagog i Arteve; Bardhyl Reso i Inxhinierisë: Genc Ruli, profesor i Ekonomikut dhe një nga njerëzit që do të luante një rol kyç në reformat e mëpasme të PD-së. Asnjëherë nuk kanë pyetur nga mbërritën ata. Sepse në të vërtetë ata ishin pjesë e asaj lëvizjeje, me po ato të drejta si dhe studentët e tyre.
Preç Zogaj erdhi pas një bisedë me mua, së bashku me Remzi Lanin mëngjesin e 10 dhjetorit, duke parë me sy të shqyer nga habia të gjithë këtë që po ndodhte.
Më 11 dhjetor, në mbrëmje, u ngjit lart për të dëgjuar takimin e studentëve me Ramiz Alinë, arkeologu Aleksandër Meksi. Ai qe së bashku me Genc Rulin dhe motrën e tij, gruan e Gramoz Pashkos. Meksi do të bëhej jo vetëm numri një i listës themeluese të PD-së, por edhe Kryeministri i parë i një qeverie demokratike. Post që e mbajti për plot 5 vjet, duke u bërë i katërti kryeministër më jetëgjatë në historinë e shtetit shqiptar.
12 DHJETOR 1990 e mërkurë
SHTËPIa E Gramoz PASHKOS
Ata u mblodhën që në mëngjes dhe të ulur përpara një kompjuteri të thjeshtë nisën të hartojnë programin minimal të një partie që pa e ditur mirë se si, për lehtësi, apo për analogji me Lidhjen Demokratike të Kosovës, nisën ta thërrasin Partia Demokratike.
Të gjithë jepnin mendime, lëviznin, përkthenin dokumente të siguruara thuajse në ilegalitet, iu referoheshin atyre që kishin dëgjuar në TV apo që kishin lexuar në gazeta, dilnin, vinin përsëri duke sjellë lajme të ndryshme. Pothuaj të gjithë ishin në pritje të mitingut të orës 16.00.
Askush nuk kishte përvojë dhe askush nuk i njihte programet politike apo statutet e një partie. Askush nuk e dinte me saktësi se ç‘duhej të thoshin, por të gjithë bashkë ishin të bindur se ajo që kërkohej ishte ndryshimi. Ndaj u orientuan prej tij, drejt një rrugë të panjohur, por që të gjithë e kishin ëndërruar.
Afër mesditës, kur printeri i thjeshtë nisi të punojë duke stampuar programin tashmë të gatshëm u mblodhëm edhe një herë. Ai grup njerëzish që aq pak kishte ditur për partitë dhe programet e tyre kishte formuar tashmë një parti të vërtetë. Një parti me përcaktimin jo vetëm demokratike, por edhe opozitare.
12 dhjetor paradite, Qyteti Studenti
Pas hutimit të asaj nate të vonë, Tirana u gdhi mëngjesin e parë të pluralizmit, disi e shokuar. Ishte hera e parë pas gjysëm shekulli që ndodhte një fitore mbi komunizmin; hera e parë që komunizmi dorëzohej ose tërhiqej pas. Në Qytetin Studenti vazhdonin të mblidheshin ithtarë të demokracisë, punëtorë të vendosur, intelektualë, gjimnazistë dhe padyshim studentët. Grupet qenë shpërndarë aty këtu nëpër sheshin Demokracia, rreth oratorëve që në predikimet për të ardhmen kishin shkuar shumë larg me fantazi.
Afër mesditës Azemi lajmëroi se në ora 16.00 do të shpallej formimi i një Partie Demokratike. Ai iku, ndërsa njerëzit nuk lëvizën prej aty. Shumica u mblodhën rreth një qoftexhiu për të thyer urinë e drekës. Pak më vonë, Blendi Gonxhe konfirmoi lajmin e Azemit. Pritej formimi i një partie të re të fuqishme. Një grup intelektualësh po hartonin programin e saj.
12 dhjetor pasdite, Qyteti Studenti
Që në ora 15.00 sheshi qëndror i Qytetit Studenti qe mbushur plot. Nga të gjitha rrugët, shtigjet, hyrjet vazhdonin të ngjiteshin lart me mijëra e mijëra vetë. Ngjante si një festë e bukur. Policia kishte bllokuar hyrjet për të lejuar kalimin vetëm të studentëve. Qe e kotë. Njerëzit kalonin mes pallateve nga mbrapa, nëpër shtigjet e përbaltuara nga pas dhe ngjiteshin aty. Ishin më tepër se 100 000 vetë. Mitingu qe i shkurtër, por brohoritjet dhe entuziazmi e ndërprisnin për minuta të tëra. I pari foli Azem Hajdari, Arben Imami lexoi programin minimal të PD-së, pastaj Sali Berisha e dy të tjerë. Edmond Budina u bëri thirrje njerëzve të shpërndahen me qetësi. Ishte e kotë. Qindramijëra vetë u derdhën poshtë me brohoritje. Filloi shi.
Shiu vazhdoi gjatë dhe njerëzit e qullur demostruan ende një farë kohe. Në darkë, ekulibri tashmë 46-vjeçar qe prishur. Shqipëria qe gdhirë me një kokë dhe po ngrysej me dy. Nëpër shtëpitë, apartamentet, njerëzit festonin të gëzuar. Në tavolinat e shtruara varfër, më të tmerrshmet ishin ëndrrat. Secili përpiqej të përcaktonte të ardhmen edhe të gjithë i jepnin asaj trajtat e dëshiruara. Atë natë, shqiptarët shkuan të flenë të lodhur e të mrekulluar. Ndoshta më të mrekulluar se kurrë në jetën e tyre. Gjithsecili besonte se ishte me fat që kishte jetuar ato katër ditë. E ardhmja misterioze ishte ngjyrë rozë. Sa kemi menduar këto pesë ditë nuk kemi menduar gjithë jetën tonë, më tha një shok. Ishte e vërtetë. Tirana kishte nevojë për një qetësi.
(Marre nga Libri “Piedestale pa Statuja”)