Ekipi i Partizanit do ti paguajë stadiumit “Selman Stërmasi” çdo dëm të shkaktuar nga tifozët e tij në ndeshjen me Tiranën, të zhvilluar ditën e djeshme, edhe pse sikundër thonë drejtuesit e klubit të Kuq, asnjëherë drejtuesit e Tiranës nuk kanë shprehur as edhe shqetësimin më të vogël për dëmet që tifozët e Tiranës i kanë bërë simboleve të ekipit të Partizanit.
“Drejtuesit e Partizanit kanë inspektuar pas ndeshjes sektorin H1 dhe H2 të stadiumit kryeqytetas ku janë akomoduar tifozët e kuq dhe rezulton se janë dëmtuar një sasi prej 35 stolash, ndërkohë që nga ana e drejtuesve të Tiranës ky numër është dyfishuar. Klubi ynë asnjëherë nuk i është shmangur detyrimeve karshi të tjerëve dhe do t’i luteshim klubit kundërshtar të na dërgojë numrin e llogarisë bankare për të shlyer vlerën monetare të dëmit.”
Me tej Klubi i Partizanit i ka kujtuar drejtuesve të Tiranës, për standardet e dyfishta që ata përdorin.
“I kujtojmë drejtuesve të Tiranës veçanërisht Z. Shehri që tifozët bardheblu kanë sulmuar 2 herë autobuzin e skuadrës së Partizanit dhe një tjetër sulm vandal është kryer ndaj zyrave dhe simboleve të klubit, akte për të cilat Z. Shehri nuk ka dalë të paktën të kërkojë ndjesë publike e jo më të konfirmojë se klubi të cilin ai përfaqëson duhet të kompesojë dëmet e shkaktuara nga tifozët bardheblu.”