Tre persona kanë rënë në pranga pasi akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe vepra të tjera penale, ndërsa policia e Elbasanit ka sekuestruar letërnjoftime të falsifikuara, 2.5 kg zhivë e bardhë, 4 aparate celularë, 5 vula të institucioneve të ndryshme dhe pikave të kalimit kufitar, 1.000 dinarë, 1.000.000 lekë dhe 1.500 euro si dhe sende të tjera të cilat i shërbenin grupit për realizimin dhe bërjen e dokumenteve të falsifikuara.
Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, Specialistët kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Specialistët e Sektorit Kundër Krimit EkonomikoFinanciar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizuan me sukses operacionin e Koduar “KALAJA” Si rezultat i këtij operacioni, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i tre shtetasve: Anastas Çyço, 51 vjeç, banues në Elbasan. Alban Nuredini, 38 vjeç, banues në Elbasan. Lulëzim Gjoci, 48 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar me parë me 3 vjet burg për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake dhe municioneve”.