TIRANË-Këshilli i Mandateve votoi të dielën në mbrëmje pro heqjes së mandatit të deputeti Armando Prenga në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit ndaj tij. Socialisti Prenga akuzohet për armëmbajtje pa leje, plagosje të rëndë me dashje dhe kanosje për vrasje. Prokurori, gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve tha se Prenga ishte përfshirë në konfliktin e armatosur me pjesëtarë të fisit Cali”. Ngjarje kjo e ndodhur mesnatën e së premtes në qytetin e Laçit.
Deputeti, mbërriti në Kryesisë e Kuvendit i shoqëruar nga efektivë të policisë.
Ai mohoi akuzat e prokurorise dhe ngriti alibinë se ngjarja është inskenim i PD-së në Kurbin.
“Nuk ka hyrë unë në konflikt fizik apo me armë sepse nuk kam pasur nevojë të marrë armë tjetër kur kam pasur armë me leje. Kjo është një vorbull e krijuar për mua dhe familjen time, por besoj se drejtësia do të nxjerrë të vërtetën. Unë do të jem i duruar duke pritur vendimin e drejtësisë. Ky është thjesht një sajim nga komisionerët e PD-së. Shkoni e pyesni atje se çfarë opinioni kanë për ta. Një ngjarje e tillë i ka ndodhur vetëm Armando Prengës apo ju ka ndodhur edhe të tjerëve?”, u shpreh deputeti socialist.
Këshilli i Mandateve pasi dëgjoi palët votoi në mënyrë unanime dhe pa debate pro heqjes së mandatit të prengës. Socialistët në fakt kishin paralajmëruar përjashtimin e Prengës pas incidentit të rëndë në Laç. Ndërsa opozita i mëshoi akuzave se se po na mbyt krimi dhe shteti është në dorë të kriminelëve.
Me dhënien e autorizimit nga Këshilli i Mandateve, parlamentit pritet qe paraditen e sotme (e hënë) të votojë heqjen e imunitetit për deputetin Armando Prenga, pasi rrezikohet të kalohen afatet ligjore prej 72 orësh nga koha e arrestimit të policisë.
Ndërkaq prokuroria pritet që gjatë ditës së sotme të kërkojë në Gjykatën e Lartë vlefshërinë për masën e sigurisë “arrest me burg”.