Qeveria ka miratuar sot vendimin për përmirësimin e trajtimit financiar të zjarrfikësve. Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale ministri i brendshëm Besfort Lamallari, sipas të cilit, me këtë vendim garantohen kushte më të drejta dhe motivuese për punonjësit që janë në vijën e parë të përballjes me emergjencat.
Vendimi parashikon pagesë më të favorshme për orët shtesë, punën gjatë natës, në ditët e pushimit dhe festat zyrtare, si dhe vendos standarde të qarta për mbrojtjen e efektivëve nga mbingarkesa në punë.
Sipas Lamallarit, ky është një tjetër hap në përmbushjen e angazhimit për forcimin dhe mbështetjen e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, duke vlerësuar kontributin e efektivëve që përballen çdo ditë me zjarret, rreziqet dhe situatat emergjente.
“Një lajm i mirë për ata që janë në vijën e parë sa herë që qytetarët kanë nevojë, që përballen me zjarrin, rrezikun dhe çdo situatë emergjente, pa kursyer asgjë nga vetja.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimin që përmirëson trajtimin financiar të efektivëve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, duke garantuar një trajtim më të drejtë dhe motivues për orët shtesë, punën gjatë natës, në ditët e pushimit dhe festat zyrtare, si edhe duke vendosur standarde të qarta për mbrojtjen e tyre nga mbingarkesa në punë.
Vendimi i sotëm është një hap tjetër domethënës në përmbushjen e angazhimit që ne kemi ndërmarrë për të forcuar e mbështetur më tej djemtë dhe burrat që shërbejnë në këtë shërbim tejet të rëndësishëm. Përkushtimi i tyre nuk njeh orar e as vështirësi ndaj ne kemi detyrimin e përbashkët t’ju gjendemi gjithmonë pranë. RESPEKT!”, shkruan Lamallari.














