Kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Pallatin Presidencial Cumhurbaşkanlığı Külliyesi. Takimi vjen pas Samitit të NATO-s, të mbajtur një ditë më parë.
“Ankara, Turqi – Me Presidentin e Turqisë dhe mikun e çmuar, Recep Tayyip Erdoğan, në Pallatin Presidencial, Cumhurbaşkanlığı Külliyesi, pas Samitit të NATO-s e në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe”, shkruan Rama krah fotove të postuara në rrjetet sociale.
Në deklaratën e përbashkët të samitit, vendet anëtare u zotuan dhe ranë dakord për një sërë çështjesh sidomos për ato të sigurisë. Krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës rikonfirmuan angazhimin e palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive të anëtarëve të NATOs, sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit.
Një tjetër pikë e rëndësishme e dakordësuar nga liderët është ndihma për Ukrainën. Për vitin 2026, aleatët zotohen të ofrojnë 70 miliardë euro në pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnim për Ukrainën dhe angazhohen të ruajnë të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe në vitin 2027.
Në këtë samit, u konfirmua gjithashtu se takimi i ardhshëm do të mbahet në Tiranë.
















