Në GJKKO, po mbahet seanca e radhës e gjyqit të Ilir Metës e Monika, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Kreu i Partisë së Lirisë, Meta nuk do të përfaqësohet me nga avokati Kujtim Cakrani por mbrojtësi i tij i ri do të jetë Bujar Musta, ish-gjyqtar i shkarkuar nga vettingu.
Vetë ish-presidenti është i pranishëm në seancë, ku pretendoi se nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet hetimore.
Ilir Meta: Ende nuk më janë dhënë në mënyrë shkresore e gjithë përmbajtja e dosjes hetimore. E kam theksuar në të gjitha seancat paraprake dhe në themel. Sa më shpeht të hetë e mundur duhet të njihemi me çdo akt që të bëjmë mbrojtje efektive.
Erion Bani: nga shkresat e sekretarisë janë bërë të gjitha procedurat për dhënien e këtyre akteve, ka kohë që janë bërë por mbrojtësi juaj refuzoi ti marrë me pretendimin “vulë e madhe e vulë e vogël”. I kemi bërë konform të gjitha rregullave si për çdo të pandehur. Mund të paraqitet avokati juaj në sekretari ti marrë ose të bëjë kërkesë që t’ia dërgojmë në paraburgim.
Avokati Bujar Musta: Nuk isha në dijeni për këtë pretendim, pas seancës do paraqitem menjëherë të tërheq aktet.
Në seancën e fundit, mbrojtja e Metës kërkoi riekspertim të të ardhurave të ish-presidentit që nga viti 1992, ndërsa në fund shpalosi edhe një liste prej 134 emrash që kërkon të thirren dëshmitarë mes të cilëve Kryeministrin Rama, ish deputetë, ish bashkëpunëtorë të tij në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe disa shtetas të huaj të lidhur me çështjet e CEZ-DIA dhe lobimin, përfshirë Charles McGonigal.
SPAK kërkon pyetjen e 110 dëshmitarëve. Sot është radha e Kryemadhit, më pas vendos GJKKO për listën gati rekord të personave që pritet të pyeten.

















