GJKKO shpall të pafajshme Majlinda Bufin, kryebashkiaken e Roskovecit e akuzuar nga SPAK për përdorim të funksionit publik për veprimtari politike.
“Nuk provohet se e ka kryer veprën penale”, është shprehur gjyqtarja Irena Gjoka.
Majlinda Bufi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë për veprën penale të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e saj me 1 vit e 6 muaj burg si dhe konvertimin e tij në shërbim prove për 2 vjet.
Bufi i ka kundërshtuar këto akuza duke pretenduar se nuk ka ushtruar presion apo ndikim dhe është deklaruar e pafajshme.
Hetimi ndaj kryebashkiakes nisi pas një denoncimi të publikuar në media, ku pretendohej se ajo i kishte kërkuar një qytetari të mos merrte pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihej në aktivitetet e forcave të tjera politike.

















