Milan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023 dhe për të cilin është lëshuar njoftim i kuq nga Interpoli, nuk po ndiqet penalisht për ndonjë krim në Serbi. Këtë e tha presidenti Aleksandër Vuçiç gjatë një konference për shtyp në Beograd.
“Ju nuk thatë pse Milan Radoiçiç është në njoftimin e kuq. Nuk është për shkak të ndonjë krimi, por për shkak të Kosovës dhe Metohisë. Këtë po e them vetëm që të jetë krejtësisht e qartë. Dikush po e ndjek penalisht për çështjen e Kosovës dhe Metohisë, jo sepse, siç u përpoqët të nënkuptonit këtu, ai është kriminel”, tha Vuçiç.
Për Radoiçiçin është lëshuar edhe një urdhërarrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të Kosovës. Ndërkohë, Bashkimi Europian shpreh pritshmërinë që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës. Megjithatë, Radoiçiçi në Serbi është i lirë dhe ka vendbanim të regjistruar në Beograd.
Kundër tij në Serbi nuk është ngritur aktakuzë, edhe pse ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur, në të cilin u vra një polic i Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre nga sulmuesit serbë.
Vuçiç nuk i mohoi të dhënat jozyrtare, të publikuara nga televizioni N1, sipas të cilave Radoiçiçi dhe ish-partneri i tij i biznesit, Zvonko Veselinoviq, po mbrohen nga një pjesëtar i Xhandarmërisë serbe, njësi speciale e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Vuçiç tha se nuk ka informacion për këtë dhe se pjesëtarët e Xhandarmërisë nuk duhet të ruajnë persona privatë.
Zvonko Veselinoviq është ish-partner biznesi i Milan Radoiçiçit. Të dy janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara prej më shumë se katër vjetësh, për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

















