Teksa qytetarët për 26 ditë radhazi i kërkojnë largimin nga detyra e kryeministrit, Edi Rama ka zgjedhur që si kundërpërgjigje ndaj protestës të publikoj në rrjetet sociale mesazhet mbështetëse të simpatizantëve të tij.
Mëngjesin e kësaj të premteje, kreu i qeverisë ka publikuar në rrjetet sociale një mesazh që i është dërguar nga një qytetar.
Ai i kërkon Ramës të “dorëhiqet” nga detyra jo për arsyet e artikuluar prej ditësh në protestën e qytetarëve, por pasi të jetë përmbushur objektivi: “integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda 2030”.
Më tej, Rama publikoi të plotë mesazhin e qytetarit, i titulluar “Manifesti i (s)dorëheqjes”, ku fjala “dorëhiqu” përsëritet në mënyrë ironike për të renditur ato që i cilëson si arritje të qeverisë, mes tyre transformimet urbane e rurale, zhvillimin e aeroporteve, rritjen e turizmit, avancimin e procesit të integrimit europian, përmirësimin e ekonomisë, rritjen e pagave, si edhe investimet në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.
Reagimi i kryeministrit Rama:
Mirëmëngjesi dhe me kërkesën e mëposhtme për dorëheqje nga një numër i panjohur, të cilën e mirëkuptoj plotësisht duke e pranuar përulësisht, ju uroj një ditë të qetë
𝗠𝗮𝗻𝗶𝗳𝗲𝘀𝘁𝗶 𝗶 (𝘀)𝗱𝗼𝗿ë𝗵𝗲𝗾𝗷𝗲𝘀!
Është ndoshta fjala më e konsumuar në lëmin virtual, ndaj po ta risjell edhe unë si ‘Millennials’ me shpresën që “Gen Z” nuk do më denigrojë me komente.
Para se të vijoj po ju them, (me lehtësinë e një barre që nuk e kam mbi supe, bashkë me +800K vota) se qeverisjen e mundon më së shumti fodullëku dhe shkenca e gjithologjisë, por kjo meriton një hapësirë më të zgjeruar filozofike për diskutim.
Tani lexomë (nëse mundeni dhe natyrisht nëse doni).
Dorëhiqu për transformimet e zonave urbane dhe rurale.
Dorëhiqu për aeroportet!
Dorëhiqu për turizmin që shënon shifra rekord!
Dorëhiqu për negociatat që u hapen!
Dorëhiqu për konferencën e tetë ndërqeveritare.
Dorëhiqu për kthimin në shina të ekonomisë!
Dorëhiqu që sot keni rritur pagat në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.
Dorëhiqu sepse sot protestohet paqësisht dhe në dritaren tënde nuk ka snajper!
Dorëhiqu për transformimet në arsimin, shëndetësi, infrastrukturë dhe jo vetëm.
Realiteti është bezdisës për ata që jetojnë me nostalgjinë e krizës së përhershme.
Dorëhiqu, sepse e ktheve Shqipërinë në një vend që sot respektohet ndërkombëtarisht.
Ose mendoje kështu: Dorëhiqu…në 2030!
Nuk do të na duhesh atëherë, por do të kujtojmë me siguri.

















