Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Moska mbetet e gatshme të zhvillojë negociata paqeje me Ukrainën, por vetëm mbi bazën e marrëveshjeve të arritura gjatë bisedimeve në Istanbul.
Gjatë një takimi me anëtarët e qeverisë, Putin theksoi se Rusia ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë e saj për dialog dhe se nuk sheh arsye për t’u larguar nga marrëveshjet e dakordësuara më parë, shkruan A2CNN.
“Moska është e gatshme për negociata paqeje me Ukrainën mbi bazën e marrëveshjeve të arritura në Stamboll. Nuk shoh asnjë arsye për të devijuar nga këto marrëveshje”, deklaroi presidenti rus.
Sipas Putinit, dokumentet e diskutuara gjatë negociatave në Stamboll ishin pranuar në atë kohë edhe nga pala ukrainase.
Më herët, presidenti rus akuzoi Ukrainën për sulme ndaj infrastrukturës civile në Rusi, duke pretenduar se qëllimi i tyre është destabilizimi i shoqërisë ruse. Ai tha se sulmet ndaj rafinerive të naftës janë shtuar ndjeshëm që nga fillimi i vitit 2026, duke shkaktuar rritje të çmimeve të karburanteve dhe probleme në furnizim në disa rajone.
Nga ana tjetër, Kievi ka deklaruar se objektivi i këtyre operacioneve është dobësimi i një prej burimeve kryesore të financimit të luftës së Rusisë dhe demonstrimi se konflikti ka pasoja edhe brenda territorit rus.














