Mbrëmjen e kësaj të mërkure, më 13 maj, emisioni “Opinion” ia kushtoi pjesën e parë dhe të dytë artizanatit dhe mjeshtërive kreative shqiptare, duke sjellë në studio artistë dhe krijues nga fusha të ndryshme, të cilët përmes punës së tyre ndërthurin traditën me modernen.
Të ftuarit prezantuan punime unike, të realizuara me pasion dhe përkushtim, duke dëshmuar se artizanati vijon të mbetet një sektor i rëndësishëm kulturor dhe artistik.
Të ftuarit në studio:
–Diba Celina nga Prizreni, stiliste e cila sjell veshje tradicionale të modernizuara dhe të stilizuara;
–Osman Veliu nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, themelues i markës “ORADORA” për orët dhe i një marke për aksesorët e shkrimit;
–Elda Gjikondi, artiste e njohur për punimet e saj artizanale me argjend dhe gurë natyrorë;
–Aron Noka, i cili merret me teknikën artistike të thyerjes së xhamit dhe realizimin e portreteve me të;
–Arlind Karaj, argjendar dhe punues i certifikuar i gurëve;
–Dorjan Lala, – prezantoi teknikën moderne “tufting” për krijimin e tapeteve dhe qilimave;
–Ornela Aga, krijuese aksesorësh dhe qirinjsh dekorativë me stilizime të veçanta;
–Besart Papa, skulptor që realizon suvenire dhe figurina të punuara në argjend, ar dhe bakër.
Në pjesën e tretë të emisionit “Opinion” u trajtua historia e Medi Halilajt, një prej artizanëve më të njohur shqiptarë në restaurimin e automjeteve retro. Prej afro 60 vitesh ai merret me rikthimin në gjendje origjinale të makinave të vjetra, disa prej të cilave mbi 90-vjeçare.
Pasioni i tij më i madh mbetet restaurimi i automjeteve që kanë qarkulluar në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.
Medi Halilaj është gjithashtu personi i vetëm nga Ballkani i vlerësuar me një çmim ndërkombëtar në këtë fushë, “Heritage Hall of Fame“, (përveç një mjeshtri serb që u vlerësua pas vdekjes) së bashku me një grup restauruesish veteranë që kanë kontribuar në rikthimin në jetë të automjeteve historike.

















