Kryetari i PD Sali Berisha është përfshirë në debat me kreun e grupit parlamentar Taulant Balla dhe shkak është bërë protesta e qytetarëve në Kuvend. Berisha po mbronte protestën duke kërkuar rrëzimin e Ramës ndërsa Balla e sfidoi të shkonte në protestë për të parë nëse do të pranohej ose jo nga qytetarët.
Gjatë kohës që Balla po mbante fjalën, deputeti i PD Flamur Noka ndërhyu me akuza e ofendime në drejtim të deputetit të PS.
Sali Berisha: Nuk mund të shtypni ata që kanë marrë mbështetje ndërkombëtare. Kërkesat e qytetarëve janë për largimin e menjëhershëm të Ramës, për anulimin e të gjitha ligjeve të amenduara nga Rama për mbrojtjen e mjedisit, me të cilat ju ndërtuat aeroportin e Vlorës dhe për këtë arsye flamingot i dënuat me vdekje. Në të cilin ju ndërtuat pikën e vogël në Parkun e Butrintit, me të cilën shkatërruat trashëgiminë kulturore dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve, duke harruar që janë edhe pasuri evropiane.
Unë mendoj se vazhdimi me çështje të tjera në këtë Parlament, pa ardhur Rama këtu, për mocion me debat, është një akt sa tradhtie aq edhe cinizmi ndaj qytetarëve shqiptarë. Nuk keni të drejtë të injoroni qindra mijëra qytetarë që kanë 18 ditë me flamurin e ligjit në dorë, duke sakrifikuar orë të tëra. Se kush tregohet fashist tani, ju apo ata, këtë e diktojnë dhe e lë të gjykohet nga qytetarët.
Ju keni vendosur t’i zgjidhni me kërcënime, duke marrë bandat. Paralajmëroj urgjent hetim parlamentar. Larg duart nga protesta, zëri i qytetarëve nuk mposhtet kurrë. Pastaj do ikni si minjtë. Por më mirë tani burrërisht, të hedhim mosbesim ndaj Edi Ramës dhe t’i japim zgjidhje krizës që do të jetë shumë herë më e fortë në ditët dhe javët që vijnë.
Taulant Balla: Së pari, kërkesa është formuluar gabim dhe nuk mund të merret në konsideratë. Nga deputeti që mori fjalën në emër të kërkuesve, nuk dëgjuam asnjë argument që ka të bëjë me kërkesën. Kërkesa nga grupi ynë do të rrëzohet. Kemi pasur një diskutim në Konferencën e Kryetarëve, ku vetë deputetët kanë kërkuar që këto iniciativa të shqyrtohen. Nuk dëgjuam asnjë argument.
I fundit që mund të flasë për protestuesit është ky pelikani këtu. Nëse do të zbatosh atë që unë të ftoj, Sali Berisha, sot pasdite shko në protestë. Shkon dot në protestë? Provoje po ta mbajti. Unë kam bërë një kallëzim për ty. Kam kontribuar. I ftoj protestuesit ta marrin në shqyrtim. Kush ju ka mandatuar ju ndonjëherë? I fundit je ti që mund të na bësh ne ndërmjetësin me protestuesit.

















