Për të zgjedhur presidentin e ri të vendit dhe për të shmangur zgjedhjet e reja në Kosovë, duhet të marrë fund sjellja refuzuese e opozitës. Ky ishte mesazhi që përcolli kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke dhënë sinjale se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim sa i përket kësaj çështjeje.
Teksa inspektoi nisjen e rikonstruksionit të rrugës Malishevë–Arllat, ai tha se do të përpiqen për sa më shumë bashkëpunim me opozitën në lidhje me këtë proces.
“Nuk kanë munguar ofertat në të kaluarën nga ana jonë. Qasja jonë është konstruktive, kreative dhe aktive, por shpresoj që kësaj radhe të ndryshojë qasja e opozitës ndaj propozimeve tona. Sikurse herën e kaluar, kur iu përgjigjën me refuzime, ato të mos jenë më pjesë e identitetit që na bëri t’i quajmë bllok opozitar. Sepse, siç e keni parasysh, ne ofruam bashkëqeverisje dhe ata thanë jo. Me 15 deputetë, ofruam katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit, por refuzuan. Pra, a e kuptoni? Për të ecur përpara ka nevojë që të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës, ndërkohë që ne e kemi në karakterin tonë si lëvizje, prej se ekzistojmë”, tha Kurti.
Në prononcimin për mediat, Kurti shtoi se, pas përmbylljes së procesit të numërimit të votave, duhet të bëhet sa më parë krijimi i institucioneve të reja.
“Tashmë është duke u përmbyllur procesi i numërimit të të gjitha votave, andaj le të presim këto ditë. Nuk e di nëse do të ketë ankesa. Më pas bëhet certifikimi dhe, natyrisht, ne jemi të interesuar që, pa humbur kohë, të hyjmë në fazën e ardhshme, që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Sa më shpejt, aq më mirë”, tha ai.
Kurti kishte kritika edhe për Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e presidentit, për të cilën tha se nuk duhet të rishkruajë Kushtetutën, por vetëm ta interpretojë atë.
Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Vetëvendosje ka dalë partia e parë, duke siguruar 52 mandate, ose 45.91% të votave. PDK renditet e dyta me 22 ulëse, ose 19.95% të votave (153,437 vota). LDK renditet e treta me 19 mandate, ose 17.03%, ndërsa Aleanca e katërta me 7 ulëse, apo 6.89% të votave.

















