Zelensky i shkruan Putinit një letër të hapur për të mbyllur luftën. Presidenti i Ukrainës propozoi që të dy udhëheqësit të takohen ballë për ballë për t’i dhënë fund më shumë se katër viteve konflikt, duke paralajmëruar se Kievi ishte gati të luftonte përndryshe.
“Ukraina propozon përfundimin e kësaj lufte përmes një angazhimi të drejtpërdrejtë midis nesh dhe jush. Unë propozoj një takim. Të gjithë i dëgjuan përfaqësuesit tuaj, duke buzëqeshur, të thoshin se unë gjoja mund të vija në Moskë. Por pas këtyre 26 viteve, nuk ka asgjë për një udhëheqës ukrainas për të bërë në kryeqytetin tuaj, ashtu siç nuk ka asgjë për një udhëheqës rus për të bërë në Kiev. Ka vende që tradicionalisht kanë pritur udhëheqës për të zgjidhur çështje lufte dhe paqeje. Zvicra, Turqia, vendet e botës arabe, shumë prej tyre janë në gjendje dhe të gatshme të presin një takim të tillë. Janë udhëheqësit ata që zgjidhin çështjet kryesore. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë gjithmonë. Unë propozoj të caktohet një datë e qartë për një takim të tillë”, lexohet në letrën e Zelenskyt.
Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi se Rusia është plotësisht e përgatitur dhe e gatshme të negociojë me Ukrainën në një bazë ushtarake amerikane në Anchorage të Alaskës, ndërsa homologu i tij ukrainas propozoi një takim ballë për ballë: “Nëse z. Zelenskiy është një përfaqësues legjitim i Ukrainës, kjo është një pyetje për juristët, për një analizë ligjore. Sigurisht që do të dëshironim, nëse do të vinte ndonjëherë, nënshkrimin e ndonjë dokumenti, dhe mendoj se kjo nuk është një tekë e jona. Sigurisht, çdo vend në pozicionin tonë duhet të nënshkruajë dokumente të tilla, të cilat pa ekzagjerim janë historike si nga perspektiva e Rusisë ashtu edhe e Ukrainës, me personat që janë legjitimë sipas Kushtetutës së një vendi partner. Në këtë rast është Ukraina”.
Në letrën e tij, të cilën zyra e Presidentit tha se i ishte dërguar vendeve të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Zelenski nënvizon se shumica e rusëve ishin lodhur nga sulmet me raketa dhe dronë të Ukrainës, inflacioni dhe mungesa e karburantit, dhe ishin gati për paqe. Ai nënvizon më tej se me Shtetet e Bashkuara të përqendruara në konfliktin në Iran, “do të ishte gabim të prisnim thjesht derisa lufta në Evropë të rikthehej në qendër të vëmendjes së tyre”. Rruga drejt paqes, thekson Zelenski, duhej të fillonte në vijën e frontit, “vija nga e cila duhet të fillojë diplomacia”. Ukraina, tha Zelenski, mbështet “një armëpushim të plotë për kohëzgjatjen e negociatave. Kjo është praktikë standard”.
















