Rikonfirmimi i Sali Berishës në krye të PD nëpërmjet referendumit të së shtunës po diskutohet mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”.
I ftuar në emision ishte edhe deputeti i PD, Belind Këlliçi, i cili është shprehur se ky referendum ishte një nga hallkat e procesit të riorganizimit të forcës më të madhe opozitare.
Këlliçi thekson se proceset zgjedhore brenda PD nuk janë perfekte, por më të mirat që kjo forcë politike mund të ofrojë, duke përdorur parimin në zgjedhje apo referendum, “një anëtarë një votë”.
Përfundimi i riorganizimit të PD, sipas deputetit, do të kompletohet në Kuvendin Kombëtar të PD, i cili do të mblidhet më 30 maj.
“Nuk ka përfunduar me këtë votëbesim procesi në PD i zgjedhjeve apo i riorganizimit. Në datë 30 maj, ditën e shtunë, ju do të keni Kuvendin Kombëtar që do të fokusohet në dy drejtime, në riorganizimin, që është kryefjalë e këtij Kuvendi që do ta dëgjoni. Pra do kemi një formulë të re, një platformë të re e cila është përgatitur së bashku me Institutin Republikan Amerikan dhe me fondacionin suedez Jarl Hjalmarson Foundation, për të paraqitur një platformë tejet moderne e kontemporane të vlerësimit të performancës të çdo niveli drejtues në PD, duke filluar nga kryetari i saj.
Dhe më pas do të shihni edhe pjesën e digjitalizimit të PD-së dhe pjesën e riorganizimit të brendshëm që do të mbyllet me ripërtëritjen që ndodh pas 2 javësh. Çfarë do të thotë? Pas 2 javësh do të jenë zgjedhjet për të gjitha forumet e larta drejtuese, ku edhe pyetja juaj, me të drejtë, do të marrë përgjigje. Ku do të shihni, jam i bindur, shumë kandidatura të reja, shumë të rinj, shumë të reja që do të marrin patjetër pjesë në garë, të rinj deri në 35-vjeç. Të garantoj që do të ketë një hapje shumë të madhe!”, tha Këlliçi.

















