Kryeministri Edi Rama deklaroi në podkastin “Flasim” se Tirana mirëpriti këtë javë sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës.
Sipas Ramës, organizimi i këtij eventi në Shqipëri përfaqëson një moment historik dhe një dëshmi të transformimit të vendit në raport me sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi.
“Kjo nuk është thjesht një ngjarje për turizmin apo zhvillimin ekonomik. Është një ngjarje që përcakton një epokë dhe konfirmon transformimin e Shqipërisë”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se deri disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme që Shqipëria të zgjidhej mikpritëse e një platforme të tillë ndërkombëtare, për shkak të sfidave që vendi kishte në raport me sistemin e drejtësisë dhe shtetin ligjor.
Rama nënvizoi se zgjedhja e Tiranës për të mbledhur juristë, ekspertë dhe figura të rëndësishme të së drejtës lidhet drejtpërdrejt me progresin e bërë përmes reformës në drejtësi dhe angazhimit për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Kryeministri shtoi se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë më tej, duke garantuar ndarjen mes politikës dhe sistemit të drejtësisë, si dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve ligjzbatuese.
Sipas tij, mbështetja ndaj drejtësisë është thelbësore për të garantuar barazinë para ligjit dhe funksionimin e shtetit demokratik.
“Javën që po lëmë pas, Tirana mirëpriti sesionin hapës, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës që vjen në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria bëhet mikpritëse. Diçka e paimagjinueshme deri disa vite më parë, sepse kjo nuk është thjesht një ngjarje për turizmin, kjo nuk është thjesht një ngjarje për zhvillimin ekonomik, kjo nuk është thjesht një ngjarje për të mbledhur bashkë ekspertë të një fushe apo të një fushe tjetër për të folur për një sektor, kjo është një ngjarje që përcakton një epokë që përcakton hapjen e një epoke tanimë të konfirmuar nga respekti i platformës së Kongresit Botëror të ligjit që nuk do të vinte kurrë në Shqipërinë e deri disa vite më parë sepse nuk do të kishte asnjë mundësi të fliste dhe të referonte nga ky vend për sundimin e ligjit, përkushtimin e shteteve demokratike ndaj sundimit të ligjit dhe për vullnetin e shumicave qeverisëse për të garantuar paprekshmërinë e sistemit të drejtësisë dhe fakti që Tirana zgjidhet sot për të mbledhur figura kaq të rëndësishme në fushën e së drejtës, juristë, ekspertë, protagonistë të betejës për të drejtën në historinë tonë bashkohore lidhet pikërisht me konfirmimin e këtij transformimi. Kështu që është edhe një herë tjetër një arsye për të qenë jo thjesht krenarë për reformën në drejtësi, por të vendosur për ta çuar atë përpara duke i qëndruar besnik atij hapi dhe atij vendimi historik që kemi marrë për të ndarë politikën nga drejtësia, për të ndarë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ nga pushteti i drejtësisë dhe për t’ia dorëzuar shpatën e drejtësisë zonjës së drejtësisë, e cila ka nevojë në Shqipëri të mbështetet, të ndihmohet, të mirëkuptohet në një proces ku, jo vetëm shpata, por edhe sytë e mbyllur dhe peshorja për të qenë e barabartë dhe e drejtë me të gjithë janë pjesë e kësaj përpjekje të madhe dhe të përbashkët”,-tha Rama.

















