Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D
Përfytyro një mëngjes të zakonshëm, ku mëndja është hapa përpara trupit, duke projektuar ditën ndërsa duart kryejnë mekanikisht veprimet. Je duke u bërë gati të dalësh nga shtëpia dhe, me nxitimin e dikujt që kërkon të fitojë çdo sekondë, kap çantën, fik dritat dhe mbyll derën pas me një lëvizje të prerë e të sigurt.
Por, pikërisht në atë fragment sekonde, kur dora jote ende prek dorezën e ftohtë, një imazh i qartë dhe i pamëshirshëm të shfaqet në mëndje, ku çelësat e shtëpisë, të harruar mbi komodinë, saktësisht dy metra larg teje, por tashmë të paarritshme. Trupi yt ngrin në një pozicion absurd, ndërsa gishti tregues ende qëndron mbi dorezen e kyçit që sapo e vulose vetë.
Ndjen një lloj plogështie që të zbret nga koka deri te këmbët, një përzierje e mosbesimit me një irritim të thellë ndaj vetes. Sheh dorezën e palëvizshme dhe për një moment, instinkti yt të shtyn ta provosh, sikur me një mrekulli dera mund të hapet, por e di që është e kotë. Ky është momenti i përulësisë totale i një gabimi banal që të kujton se, pavarësisht planeve të mëdha, jemi gjithmonë vetëm një harresë larg kaosit. Brenda 50 deri në 100 milisekonda, shumë kohë përpara se mendja juaj koshiente të mund të procesojë ndjenjën “oh-jo-gabim”, “sistemi i alarmit” të trurit tuaj tashmë është aktivizuar.
Kjo njihet si Negativiteti i Lidhur me Gabimin. Kërkimet në Frontiers in Human Neuroscience (2025) konfirmojnë se ky sinjal e ka origjinën në Korteksin Cingular Anterior, i cili vepron si një detektor automatik i konflikteve. Korteksin Cingular Anterior në thelb njofton pjesën tjetër të trurit, duke bërtitur se realiteti i situatës nuk përputhet më me “parashikimin” e brendshëm të suksesit. Ndërsa ora shënon 200 deri në 500 milisekonda pas dështimit, ju kaloni në fazën e Pozitivitetit të Gabimit. Ky është momenti “Aha!” i njohjes së gabimit.
Sipas studimeve të fundit (Smith et al., 2025), fuqia e këtij sinjali është përcaktuese (“bëje ose dështo”). Nëse besoni se mund të përmirësoheni, truri juaj tregon një reagim shumë më të fort. Truri në ato milisekonda nuk vëren thjesht gabimin por analizon edhe burime metabolike për të analizuar pse ndodhi ai. Në këtë udhëkryq, Korteksi Paraballor Ventromedial dhe Amigdala përfshihen në një “stërvitje force”. Amigdala mund ta regjistrojë dështimin si një kërcënim social, duke nxitur një reagim stresi “lufta ose ikja”. Megjithatë, nëse korteksi paraballor arrin ta rregullojë me sukses këtë emocion, truri hyn në një gjëndje të rireshtimit neural.
Gjetjet e fundit të viteve 2024-2025 në neuroshkencë sugjerojnë se truri i përdor këto “të dhëna dështimi” për të përditësuar modelet e tij të sjelljes (behavior) parashikues. Në vend që të përsërisë të njëjtin cikël, truri rilidh shtigjet e tij qelizore duke bërë në thelb një “arnim” të lidhjeve të qelizave për të siguruar që parashikimi i radhës të jetë më i saktë. Nëse dështimi shkaktohet nga lodhja, reagimi i trurit është edhe më dramatik. Sipas kërkimeve të fundit, truri mund të bëj një shpërthim të shpejtë të lëngut cerebrospinal kur përjeton “dështim apo frikë”. Kjo është një “urgjence” fiziologjike, zakonisht e rezervuar për gjumin e thellë, duke treguar se truri e sheh dështimin e përsëritur si një sinjal se është tepër i “ngarkuar”. Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese & autore e shumë shkrimeve. Ka studiuar Neuroshkencë & Shkencat e Shëndetit në Columbia University, në New York.
#fatjonalubonja

















