Protestat e fermerëve grekë kanë hyrë në ditën e 23 dhe vijojnë pa ndërprerje, me bllokime në rrugët kryesore dhe dytësore të vendit.
Sindikalistët paralajmërojnë se qëllimi është të rritet presioni ndaj qeverisë në prag të festave të fundvitit.
Traktorët mbeten të rreshtuar në akse të ndryshme, ndërsa fermerët njoftojnë se nuk do të tërhiqen, pavarësisht paralajmërimeve dhe ndjekjeve ligjore. Pikat më të ndjeshme janë ato që ndajnë veriun dhe jugun e Greqisë, si dhe pikat kufitare me Turqinë, Bullgarinë dhe Shqipërinë, ku ka krijuar rradhë kilometrike për kamionët e tonazhit të rëndë.
Në rrugën Egnatia, që lidh Kapshticën me Selanikun, vijojnë tre blloqe me traktorë, ndërsa lëvizja bëhet përmes rrugëve dytësore. Situata mbetet problematike edhe në Igumenicë, ku fermerët kanë paralajmëruar bllokime të përkohshme të portit, një nyje kyçe për tregtinë me Italinë dhe Ballkanin.
Sot, fermerët njoftuan mbylljen simbolike të tuneleve të Tempit për kamionët, ndërsa automjetet private dhe autobusët lejohet të qarkullojnë. Në disa pika të autostradave, barrierat e pagesës janë hapur, duke lejuar kalim falas për udhëtarët e festave.
Bllokimet po shkaktojnë probleme në sektorin e turizmit dhe tregtinë, veçanërisht në zonat turistike dimërore. Fermerët paralajmërojnë vazhdimin e protestave gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe përshkallëzim pas festave, nëse nuk merren masa konkrete për uljen e kostos së prodhimit dhe mbështetjen e bujqësisë, pa penguar lëvizjen e automjeteve të udhëtarëve.
Qeveria greke deklaron se mbetet e hapur për dialog, por kryeministri Mitsotakis thekson se nuk do të pranojë kërkesa të paarsyeshme, duke shtuar se një pjesë e madhe e kërkesave të fermerëve është tashmë plotësuar ose po shqyrtohet pozitivisht.

















