Klodian Braho ka nisur sot zyrtarisht punën si drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Braho është i treti prokuror në krye të SPAK ndërsa në fjalën e tij përshëndeti dy parardhësit, Arben Krajën dhe Altin Dumanin.
“Marrja e detyrës është një angazhim për të respektuar Kushtetutën, për të mbojtur pavarësinë e SPAK dhe pë të forcuar besimin e qytetarëve. Falë mbështetjes së ndërkombëtarëve, SPAK po përforcohet. Falënderoj paraardhësin në detyrë zotin Kraja për vendosjen e gurëve të parë në institucion për të marrë formën që ka sot si dhe Dumain për guximin dhe integritetin duke përforcuar figurën e SPAK.
Fokusi im do të mbetet forcimin i funksionimit të brendshëm. Instucioni do të vazhdojë të komunikojë në mënyrë të qartë me median dhe pubikun brenda kornizave ligjore. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale. Unë besoj se jemi një skuadër dhe duhet të punojmë krah për krah me përkushtim për zotimin tonë për respektimin Kushtetutës”, tha Braho.
Altin Dumani gjatë fjalës së tij u shpreh se sot u mbyll një nga kapitujt më sfidues për të. Më tej shtoi se ai dhe SPAK në përgjithësi janë ndeshur me presione, por tani Prokuroria e Posacme është më e fortë dhe më e besueshme.
“Më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesi gjatë karrierës sime si prokuror. Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi, jemi ndeshur me vendime të vështira, presion, kemi punuar me integritet dhe profesionalizëm. SPAK është më i fortë, i besueshëm se më parë. Shpreh mirënjohje partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar për ndërtimin e standardeve që kemi sot. Një falënderim shkon edhe për publikun shqiptar , besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese zotit Braho duke e çuar para besimin e SPAK“, shprehet Dumani.

















