Deputetja e PD-së Jorida Tabaku dhe ministri i Financave, Petrit Malaj u përplasën në Kuvend për një kërkesë lidhur me një kërkesë për përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve. Tabaku tha se i ka dërguar prej një muaji 4 shkresa ministrisë për informacion por akoma nuk ka marrë përgjigje.
Malaj i replikoi duke e akuzuar se po gënjen pasi kërkesa e parashtruar i ka shkuar vetëm para një jave, ndërsa i përmendi edhe ligjin për procedurat tatimore. Tabaku më pas i tha se jo vetëm që është ai që po gënjen por edhe se ka “injorancë ligjore” .
Pjesë nga diskutimi:
Jorida Tabaku: Sipas nenit 80 të kushtetutës, drejtuesit e institucioneve shtetërore me kërkesë të deputetëve duhet të japin shpjegime për cështje të ndryshme. I kam kërkuar ministrit të Financave prej një muaji, disa shkresa, për të bërë transparencë mbi përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve. Njëkohësisht transparencë mbi amnistinë fiskale zoti ministër s’e ka ofruar akoma këtë transparencë. Ministri e ka detyrë kushtetuese të kthejë përgjigje për përfituesit, a janë koncesionarë, marrës të tenderave, subjekte të SPAK? Jo 1 por 4 shkresa kam dërguar që nuk kanë sjellë përgjigje as nga Tatimet e as nga Doganat. I kërkoj ministrit të bëjë transparencë. Nuk mund ta miratojmë nen për nen pa pasur transparencë.
Petrit Malaj: S‘e kuptoj se si arrini të gënjeni me zë dhe figurë që keni dërguar 4 shkresa dhe paskeni dhe një muaj që e keni dërguar se në fakt ka ardhur vetëm para një jave në ministri. Mos gënjeni, por para një jave e keni dërguar dhe si ligjvënese e vjetër e parlamentit duhet të dini se kërkesa që keni sjellë është në kundërshtim me disa ligje të tjera për nivelin e informacionit që keni kërkuar. Duhet t’i referoheni ligjit të procedurave tatimore për të kuptuar se informacioni që kërkoni nuk mund të ndahet se është e dhënë personale dhe duhet të kërkoni konsensusin e debitorit që të japë informacion mbi borxhet me administratën tatimore. Në lidhje me informacionin se kush janë përfituesit e detyrimeve tatimore e doganore, e kam sqaruar janë 202 mijë përfitues.
Jorida Tabaku: Zoti ministër, të gënjesh kaq paturp por të kesh edhe kaq injorancë ligjore unë s’e di.
















