Policia e Kukësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë në lagjen Drinas të fshatit Mamëz në Kukës, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një biznesi. Sipas njoftimit të Policisë, babë e bir janë identifikuar si autorë të dyshuar të ngjarjes, ndërsa në pranga ka përfunduar njëri prej tyre. Policia ka arrestuar 59-vjeçarin ndërsa ka shpallur në kërkim të birin 26 vjeçar.
Ndërkohë është sekuestruar edhe automjeti i dyshuar me të cilin babë e bir kanë lëvizur kur kanë kryer veprën penale.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Drinas”, u bë kapja dhe ndalimi i njërit prej autorëve, shtetasit Xh. M., 59 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi M. M., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Këta shtetas, më datë 27.11.2025, në lagjen Drinas, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dyqanit në pronësi të shtetasit T. O., duke dëmtuar fasadën me xham të dyqanit”.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, i cili nuk u gjet në banesë gjatë operacionit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

















