Zgjedhjet e 11 majit kanë qenë të lira dhe të ndershme. Këtë përgjigje tha komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, në konferencën për shtyp me Edi Ramën kur u pyet për raportin e OSBE-ODIHR për këto zgjedhje.
“Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime dhe kjo është gjë e mirë për Shqipërinë dhe Bashkimin Europian”, tha komisionerja e BE-së.
Kujtojmë se në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 thuhet se në “shumë raste gara ishte e pabarabartë, partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke përfshirë edhe bërjen publike vetëm pak kohë para ditës së zgjedhjeve të faljes së një numri të madh gjobash, dhe zyrtarët e lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh aktivitetesh zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë”.














