I morën një shtetasi shqiptar, nëpërmjet mashtrimit, kriptomonedhat nga llogaria kriptofinanciare, dhe nuk i dhanë vlerën e tyre (10 000 €), vihen në pranga 2 shtetas kinezë.
Si rezultat i hetimeve është identifikuar bashkëpunëtori i 2 shtetasve kinezë, posedues i llogarisë kriptofinanciare në Hong Kong, ku u transferuan kriptomonedhat e shtetasit shqiptar.
Vihen në hetim shtetasi që u mashtrua, si dhe 2 shtetas të tjerë, për përfshirje në mënyrë të kundërligjshme, në këtë aktivitet financiar.
Sekuestrohen 10 000 euro që kishin siguruar 2 të arrestuarit, për të mashtruar shtetasin shqiptar, që të bënte transaksionin, si dhe 5 celularë.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e krimeve kibernetike dhe rasteve të mashtrimit të qytetarëve në këtë fushë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 finalizuan operacionin “Scam platform”, gjatë të cilit: -u arrestuan shtetasit kinezë, X. Zh., 20 vjeç dhe X. Zh., 58 vjeç, të dy banues në Tiranë; -u proceduan penalisht shtetasit A. S., 30 vjeç, J. Sh., 30 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.














