Partia Mundësia zhvilloi një protestë para Kryeministrisë, aty ku zv.kryeministrja Balluku prej orësh po zhvillon takim me Ramën, ndërsa iu është bashkuar edhe Manja. Në një deklaratë pas protestës simbolike, kreu i Partisë Mundësia tha se Shqipëria ndodhet në një moment historik. Shehaj tha se Balluku e Rama menduan se do t’i shpëtojnë drejtësisë.
“Është e qartë që Shqipëria ndodhet në një moment historik, për herë të parë të korruptuarit janë mbyllur në zyrë në Kryeministri e po bëjnë plane për t’i shpëtuar drejtësisë. Kanë një hall të madh, pasi kapën Veliajn, Ahmetajn, tani kanë kapur Belinda Ballukun dhe me Belinda Ballukun ndryshon gjithçka, sepse Belinda Balluku është zv.kryeministrja në detyrë. Nuk e lëshojnë dot sepse pas Belinda Ballukut sigurisht do shkojnë tek Edi Rama. Tani është e qartë që nuk i shpëtojnë dot drejtësisë.
Ajo që ka ndodhur është e njëjta gjë që ka ndodhur në shumë vende të tjera të Europës së Lindjes. Janë me dhjetëra kryeministra që kanë dalë para drejtësisë janë dënuar dhe shumë shpejt tani po i vjen radha Edi Ramës.
Kjo është arsyeja pse Edi Rama është ngujuar sot në Kryeministri me një të pandehur me një zv. kryeministre e cila ka disa akuza disa dosje e për të cilën SPAK e Prokuroria ka kërkuar dhe bllokimin e pasaportës. Kemi të bëjmë me një rrethim janë të rrethuar nga drejtësia nuk kanë nga t’ia mbajnë. Nuk e prisnin. Mendonin se do e përdornin drejtësinë, mendonin se do i shpëtonin drejtësisë.
Mendonin se do e përdornin drejtësinë për të sulmuar kundërshtarët e tyre por ja që edhe në Shqipërinë e vuajtur, në Shqipërinë e vjedhur erdhi dita e drejtësisë. Ky është një moment jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm, ky është një moment shprese për shqiptarët sepse falë drejtësisë këta do shkojnë në burg dhe erdhi momenti që shqiptarët të shikojnë nga e ardhmja.
Kanë mundësinë sot të shikojnë një dritë në fund të tunelit. Ka ardhur dita që të fillojmë të ndërtojmë diçka të re, të ndërtojmë një Shqipëri ku mund të jetojnë të gjithë, në mënyrë të ndershme, një Shqipëri ku qytetarët shqiptarë shtetin e kanë në krah nuk e kanë në kurriz”, tha Shehaj.

















