Fitorja e mazhorancës në zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të vendit, për ish-kryeministrin Sali Berisha dëshmoi se kryeministri sipas tij nuk bën zgjedhje. Në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se nuk ishte gabim zgjedhja e opozitës për të mbështetur kandidatët e pavarur.
“Në vlerësimin tim, nuk ishte asnjë gabim. Opozita dëshmoi dhe duhet të dëshmojë vullnet për hapje. Edhe njëherë i falënderoj shumë të gjithë ata që kandiduan si të pavarur. Por çfarë faktoi kjo? Se në asnjë variant Edi Rama zgjedhje nuk bën”.
Për kreun demokrat pjesëmarrja e ulët në votimet e 9 nëntorit, faktoi braktisjen e Ramës nga populli.
“Së dyti, populli e braktisi Edi Ramën. Një braktisje ekzemplare dhe kjo tregon se, ne si opozitë duhet të kapitalizojmë zemërimin dhe revoltën që ekziston në zemrat e shqiptarëve dhe ta kthejmë në një energji të fuqishme të përmbysjes së këtij regjimi të paligjshëm në Shqipëri”.

















