Gilmando Dani, 47 vjeç dhe Muçi Shaljani allias Sheqeri, 40 vjeç, sapo kishin mbërritur nga Barcelona në vendin tonë kur ranë pre e një atentati mafioz pranë aeroportit të Rinasit. Të dy po udhëtonin me një mjet luksoz Benz, i bardhë me targa AB 099 UO, kur u qëlluan me breshëri plumbash sapo u larguan nga aeroporti. Dani i njohur edhe si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili ishte edhe objektiv i atentatit, mbeti i vdekur në vend. Ndërsa miku i tij, Shaljani i cili prej 3 mujash shërbente si agjent i AMP-së (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), po drejtonte mjetin dhe ka marrë plumba në kokë. Aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dinamika e atentatit
Ata kishin ikur në Barcelonë më datë 7 nëntor dhe mbërritën në Rinas sot, 11 nëntor, në orën 13:55. Kanë marrë mjetin që e kishin parkuar në parkimin e Rinasit dhe janë nisur drejt destinacionit të tyre. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas, rreth orës 14:20 në rrethrrotullimin e Rinasit, pak metra larg aeroportit, një zonë ku ka një trafik të dendur dhe qarkullimi i mjeteve është shumë i ngadaltë. Një rrethanë që duket se ka ndihmuar vrasësit, për të shënjestruar objektivin e tyre.
Autorët kanë qenë me një mjet Toyota me targa greke dhe e kanë pritur para aeroportit. Në momentin që Dani dhe miku i tij janë larguar nga Rinasi, autorët i kanë ndjekur dhe dy makinat kanë ecur paralel me njëra-tjetrën. Kur janë afruar pranë rrethit të Rinasit, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash në anën e pasagjerit ku ndodhej Dani. Autorët e donin danin të vdekur me çdo kusht dhe u siguruan që të vdiste. Pasi qëlluan drejt makinës, një nga autorët, me kapele dhe i maskuar, del nga makina dhe i afrohet Benzit duke qëlluar disa herë me pistoletë.
Vetëm pak minuta pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi drejt Fushë-Krujës. Ata kanë ndaluar në fshatin Halil, ku kanë djegur automjetin që përdorën në atentat, në një zonë të pyllëzuar, pranë përroit të Halilit. Distanca mes Rinasit dhe Halilit është vetëm 14 kilometra, çka tregon se atentatorët kanë vepruar me saktësi dhe plan të qartë arratisje. Brenda mjetit të djegur janë gjetur 4 armë që dyshohet se janë përdorur në atentat. Mjeti i djegur është gjetur në të njëjtin vend nga ku është qëlluar në drejtim të hotelit të Edmond Vogës.
Pamjet që siguroi Report Tv nga vendi i ngjarjes tregojnë se mjeti është bërë shoshë nga plumbat, të cilat kanë depërtuar deri tek xhamat e hotelit aty pranë. Efektivët e policisë arritën me vështirësi të thyenin xhamin e makinës nga ana e shoferit, duke përdorur sende të forta, për të hapur më pas derën. Në pamje dallohet se shoferi Shaljani nuk lëviz, por është duke marrë frymë me vështirësi. Ndërsa viktima dallohet me trupin e anuar në brendësi të makinës, nga ana e shoferit, me kokën poshtë. Makina me të cilën po lëviznin Dani dhe agjenti i AMP-së rezulton në pronësi të Elvis Kosovës, i njohur edhe si Visi i Garave, një person i njohur për blutë, të cilit më 24 korrik i vendosën tritol në garazh.
Kush ishte Gilmando Dani?
E shkuara kriminale është pikërisht pista e hetimit për atentatin mafioz që i mori jetën Danit. I njohur si krahu i djathtë i Shullazit, Dani ka një histori të gjatë me ngjarjet kriminale që prej vitit 2006 kur u shpall në kërkim për armëmbajtje pa leje. Gilmando Dani i ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazit. Në tetor 2024 ai është liruar nga burgu pas një vendimi gjykate për liri me kusht për shkak se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit prej 12 vite burg për “Gjobëvënie”.

















