Një ditë më parë, Samiti i Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel publikoi raportin me progresin e vendeve kandidate për t’u bërë pjesë e BE-së, ku mes tyre ishte dhe Shqipëria.
Kreu i Partisë Demokratike e lexoi ndryshe raportin, duke thënë se ai kishte të gjitha të zezat e vendit dhe se nuk kishte asnjë shkëlqim, pasi sipas tij, Shqipëria plotëson vetëm një kriter, atë gjeostrategjik.
“Ka të gjitha të zezat tona. Raporti ishte grafi pa mëshirë për Ramën. Nuk ka shkëlqim siç thanë dje. Si mundet kryeministri të bllokojë ODIHR-in? Nuk e lejon dot, sepse del si një sheik miliarder dhe jo si një zyrtar shtetëror. Ku është shkëlqimi këtu? A është kjo e denjë për një shtet që synon të ecë në BE?
Shqipëria plotëson vetëm një kriter për në BE, që është kriteri gjeostrategjik dhe kjo është e vërteta. Të tjerat asnjë absolutisht. Sistemi drejtësisë në kolaps, ajo që ne kemi denoncuar me dhjetëra herë. Mungesë burimesh dhe procedura të komplikuara. Faktikisht thelbi i asaj që kemi thënë ne, qytetarët shqiptarë nuk kanë një proces të duhur gjyqësor. Përqindja e afateve ligjore mbetet e ulët”, tha Berisha ndër të tjera.

















