Erion Veliaj do të shkojë të premten nga paraburgimi në Durrës drejt Gjykatës Kushtetuese për ankimin e tij për shkarkimin nga detyra si kryetar bashkie i kryeqytetit.
Në emisionin “Opinion”, avokati Ili Gërdupi shpjegon si funksionojnë afatet ku parashikohen 20 ditë pas përfundimit të shqyrtimit. Më pas vendimi mund të hyjë në fuqi menjëherë ose 30 ditë pas shpalljes dhe botimit në Fletoren Zyrtare.
Avokati thotë se teorikisht është e mundur që vendimi të merret që nesër, nëse përmbushet kushti i 5 votave minimalisht. Barazia e votave sjell rrëzim të kërkesës.
Ili Gërdupi: Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk e shtyn seancën për një seancë të radhës, do të jetë e detyruar që shpallja e vendimit duhet bërë brenda 20 ditëve nga përfundimi i shqyrtimit gjyqësor pasi edhe Gjykata Kushtetuese zbaton parimet e Kodit për procedurat civile, pasi mbyllet shqyrtimi gjyqësor janë 20 ditë për shpalljen e vendimit. Gjykata Kushtetuese vendos në bazë të vendimit që do të marrë nëse do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të ketë një votim të shkurtuar apo do të jetë standarde që do të hyjë në fuqi vetëm pas botimit në Fletoren Zyrtare si vendim i arsyetuar që hyn në fuqi 30 ditë nga data e shpalljes.
Blendi Fevziu: Nëse ka vullnet, Gjykata Kushtetuese mund të marrë vendim që nesër?
Ili Gërdupi: Teorikisht është e mundur si opsion.
Blendi Fevziu: Po praktikisht ka ndodhur?
Ili Gërdupi: Janë raste të rralla. Janë nëntë anëtarë të gjykatës kushtetuese, ne kemi një mungesë dhe duhet rakorduar vendimi mes gjithë anëtarëve. Nëse ka debate, do të duhet më shumë kohë për të arritur në një vendimmarrje e cila të jetë e zbatueshme.
Blendi Fevziu: Vendimi është i detyruar të merret me 5 vota, apo jo?
Ili Gërdupi: Po, duhet të jenë të paktën 5 vota ose në rast se do të kishim një ndarje 4 me ,4 kërkesa rrëzohet.
 
	    	 
		    

















