Zgjerimi i prodhimit të energjisë diellore në Gjermani ka çuar në uljen e çmimeve të energjisë elektrike, duke ndihmuar vendin të kursejë miliarda euro çdo vit, sipas një studimi të publikuar sot.
Pa energjinë diellore, çmimi mesatar i tregut për energjinë elektrike do të kishte qenë rreth 15% më i lartë vitin e kaluar, sipas kërkimit të kryer nga firma këshilluese “Enervis”, me porosi të Shoqatës Gjermane të Industrisë Diellore.
Sistemet diellore, sipas gjetjeve të studimit, ulin faturat e energjisë për konsumatorët, bizneset dhe industrinë me disa miliarda euro çdo vit dhe këto kursime pritet të rriten edhe më tej në të ardhmen.
Në dritën e rezultateve, shoqata rinovoi thirrjen e saj ndaj qeverisë për të ruajtur subvencionet për instalimet diellore, duke argumentuar se ndërprerja e financimit do të pengonte zgjerimin e sektorit.
Ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, planifikon të shkurtojë subvencionet shtetërore për instalimet e reja të vogla diellore, me arsyetimin se ato tashmë janë të leverdishme për konsumatorët edhe pa ndihmë shtetërore.
Megjithatë, administrata e udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Konsumatoret gjermanë që vendosin panele diellore në çatinë e shtëpisë dhe e furnizojnë energjinë e prodhuar në rrjet, marrin një shumë fikse për çdo kilovat-orë për një periudhë prej 20 vjetësh.

















