Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me një foto përkrah ish-ministrit të Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, konfirmoi raportet për emërimin e tij në krye të Portit të Durrësit.
“Shumë i bukur lajmi për emërimin e Liburn Aliut në krye të Portit të Durrësit! Përherë e kemi thënë se Durrësi është porta e përbashkët drejt Adriatikut si për Shqipërinë dhe Kosovën, prandaj nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë për ta mishëruar këtë vizion e ndjesi, se sa Liburni, një atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik, me të cilin si ish-Ministre e Mjedisit kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi gjatë kohës kur edhe ai drejtonte sektorët e mjedisit dhe planifikimit hapësinor si Ministër në Kosovë”, shkruan Kumbaro.
Teksa uronte ish-ministrin e qeverisë “Kurti 2” për detyrën e rëndësishme, Kumbari vlerësonte edhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku për zgjedhjen që ka bërë për t’i besuar atij drejtimin e portit.
“Zgjedhje e goditur Belinda Balluku. Urime e me krahë të lehta!”, shtonte Kumbaro më tej, në postimin të cilin e fshiu disa minuta pasi e publikoi në Facebook.


















