Misioni i OSBE/ODIHR ka bërë 25 rekomandime në përfundim të zgjedhjeve të 11 Majit që kanë të bëjnë me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, fushatën elektorale dhe parandalimin e presionit ndaj zgjedhësve.
“Këto rekomandime duhet të lexohen në lidhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it që ende nuk janë adresuar. ODIHR shpreh gatishmërinë për të ndihmuar autoritetet e Shqipërisë në përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor dhe për të adresuar rekomandimet e përfshira në këtë dhe në raportet e mëparshme”, thuhet në raport.
REKOMANDIME PRIORITARE
* Për të adresuar rekomandimet e papërmbushura të ODIHR-it, si dhe paqartësitë dhe mospërputhjet e ndryshme, korniza ligjore zgjedhore duhet të reformohet në mënyrë tërësore përmes një procesi konsultativ gjithëpërfshirës, shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira.
* Për të siguruar stabilitetin e administratës zgjedhore, duhet të konsiderohet depolitizimi i procedurës së emërimit të komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, si dhe kufizimi i zëvendësimeve arbitrare dhe në momentet e fundit të anëtarëve të komisioneve, për të garantuar trajnimin e duhur dhe në kohë për të gjithë anëtarët.
* Për të forcuar kapacitetin dhe profesionalizmin e Grupeve të Numërimit të Fletëve të Votimit, KQZ duhet të organizojë sesione specifike trajnimi për procedurat e numërimit dhe të zhvillojë një kurrikul trajnimi të standardizuar, duke përfshirë manuale dhe fletëinformime të lehta për t’u kuptuar mbi procesin e numërimit.
* Përpjekjet për edukimin e votuesve mbi votimin elektronik duhet të intensifikohen, me fokus në rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve për procedurat e votimit elektronik dhe sigurimin që të gjithë votuesit të jenë në gjendje të votojnë në mënyrë të pavarur.
* Për të eliminuar çdo paqartësi në legjislacion në lidhje me fushatën, përdorimi i burimeve administrative për qëllime elektorale duhet të ndalohet nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit.
* Për të siguruar kushte të barabarta gare, autoritetet duhet të marrin masa për të parandaluar keqpërdorimin e funksionit dhe të burimeve shtetërore. Sanksione proporcionale dhe ndëshkuese duhet të vendosen me shpejtësi ndaj shkeljeve të tilla.
* Në përputhje me praktikat e mira, ligji duhet të përcaktojë qartë cilat aktivitete paraelektorale përbëjnë shpenzime fushate, në mënyrë që ato të jenë subjekt i raportimit, mbikëqyrjes dhe sanksioneve përkatëse.
* Materialet filmike të përgatitura nga partitë politike ose autoritetet qeveritare duhet të etiketohen qartë si reklama politike dhe për rrjedhojë të ndalohen në programet e lajmeve dhe në përmbajtjen editoriale. Duhet të jenë në fuqi masa efektive për të adresuar shkeljet dhe ato duhet të zbatohen në kohë.
REKOMANDIME TË TJERA
Administrata Zgjedhore
* Për të forcuar kapacitetin dhe profesionalizmin e komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, KQZ duhet të zhvillojë një kurrikul të standardizuar trajnimi, duke përfshirë manuale dhe fletëinformime të thjeshta për proceset.
* Gjatë përcaktimit të vendndodhjeve të qendrave të votimit, autoritetet zgjedhore dhe bashkitë duhet të marrin masa proaktive për të siguruar aksesueshmëri të plotë për personat me aftësi të kufizuara.
* Për të siguruar pjesëmarrje më të gjerë të grave, KQZ duhet të garantojë që komisionet zgjedhore të niveleve të ulëta të jenë të balancuara gjinorisht, duke përfshirë edhe emërimin e grave në pozicione drejtuese.
Përdorimi i Teknologjisë në Zgjedhje
* Për të mbrojtur integritetin dhe për të rritur besimin publik, vendimet për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje duhet të respektojnë kuadrin ekzistues rregullator dhe të mos merren nën presion politik.
* Nëse në të ardhmen merret në konsideratë zgjerimi i votimit elektronik, përdorimi i teknologjisë duhet të menaxhohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, transparente dhe të integruar.
Regjistrimi i Votuesve
* Për të respektuar standardet ndërkombëtare dhe për të garantuar të drejtën universale të votës dhe trajtimin e barabartë para ligjit, të gjitha kufizimet e së drejtës së votës bazuar në aftësi të kufizuara intelektuale ose psikosociale duhet të hiqen, përfshirë ato të bazuara në vlerësime individuale nga gjykatat.
Fushata Zgjedhore
* Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse me palët e interesuara, aktivitetet e fushatës dhe reklamat politike në rrjetet sociale, përfshirë financimin e tyre, duhet të rregullohen duke respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes.
* Për të mbrojtur shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve, organet e rendit duhet të bëjnë çdo përpjekje për të identifikuar dhe hetuar të gjitha akuzat për shkelje zgjedhore, në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe transparente. Votuesit duhet të informohen sistematikisht për mekanizmat e raportimit të shkeljeve, përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe garancitë kundër hakmarrjeve.
* Për të rritur pjesëmarrjen politike të grave, financimi publik mund të lidhet me masa konkrete gjithëpërfshirjeje. Partitë politike duhet të konsiderojnë reforma të mekanizmave të brendshëm për të rritur përfaqësimin e grave në strukturat e partive, përfshirë aksesin në fonde.
Financimi i Fushatës
* Për të siguruar kushte të barabarta gare, korniza ligjore duhet të përfshijë një tavan të arsyeshëm për shpenzimet e fushatës për kandidatët që garojnë në lista partie ose koalicioni.
* Për të rritur transparencën, autoritetet duhet të konsiderojnë rregullimin e fushatave online dhe të palëve të treta, përfshirë entitetet e lidhura me partitë politike, si dhe përcaktimin e kushteve përkatëse për raportim dhe mekanizma sanksionues.
* Për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien, KQZ-së duhet t’i jepen burime shtesë financiare dhe njerëzore, si dhe një mandat i zgjeruar, për të mundësuar auditim të plotë të raporteve financiare të fushatës, përfshirë fuqinë për të hetuar burimet e donacioneve.
Media
* Autoritetet shtetërore, për të përmbushur detyrimet e tyre pozitive sipas të drejtës ndërkombëtare, duhet të promovojnë një mjedis mediatik të pavarur dhe të larmishëm, të lirë nga ndikimi politik dhe ai korporativ. Duhet të miratohet një rregullore gjithëpërfshirëse për pronësinë e mediave dhe të forcohet zbatimi efektiv i saj. Gjithashtu, duhet të zbatohen masa për mbrojtjen e autonomisë editoriale nga ndikimet politike dhe të biznesit.
* Ndryshimet ligjore duhet të sigurojnë depolitizim efektiv dhe pavarësi të vërtetë institucionale të transmetuesit publik dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare. Këto ndryshime duhet të përfshijnë konsultime të gjera publike me median e pavarur dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
* Shpifja duhet të dekriminalizohet plotësisht dhe dispozitat civile për shpifjen të përshtaten me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.
* Rregullat e Kodit Zgjedhor për ndarjen e kohës televizive në mbulimin editorial duhet të ndryshohen për të reduktuar avantazhin e dhënë partive më të mëdha parlamentare dhe për të siguruar një ndarje më të drejtë të hapësirës për të gjithë garuesit.
Dita e Zgjedhjeve
* KQZ duhet të ndërmarrë hapa për të parandaluar frikësimin dhe ndikimin e padrejtë ndaj votuesve në qendrat e votimit, duke forcuar trajnimin dhe mandatin e koordinatorëve të sigurisë në qendrat e votimit, për të garantuar që ata të jenë politikisht të pavarur dhe të fuqizuar për të vepruar në mënyrë efektive në ditën e zgjedhjeve.