Një ditë pasi një kafe e pashërbyer u bë motiv për dy jetë të humbura në Manzë, policia ka zbardhur dinamikën e konfliktit që çoi në vrasjen e Flori Paluçit dhe Aranit Kurtit.
Uniformat Blu njoftojnë se kanë vënë në pranga katër persona të përfshirë në konflikt, të cilët akuzohen për moskallëzim të krimit. “U arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit: Erald Cani, 25 vjeç dhe Ergi Kadiu, 21 vjeç, si dhe shtetasit Taulant Beqja, 37 vjeç dhe Emirjan Beqja, 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë“, bën me dije policia.
Po ashtu është shpallur në kërkim Daniel Pepa, autori i dyshuar i vrasjes së Flori Paluçit, por edhe një 30 vjeçar që akuzohet për mbajtje të armëve të zjarrit dhe moskallëzim krimi.
Policia konfirmon se debate fillimisht ka nisur mes 21-vjeçarit Daniel Pepa dhe kamerierit të lokalit e po ashtu viktimës Flori Paluçi. Pas përplasjes verbale, Pepa është larguar me automjet dhe është kthyer në vendngjarje i shoqëruar nga Aranit Kurti dhe Ergi Kadiu.
“Shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cani). Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu dhe nga shtetasi Aranit Kurti. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit Flori Paluçi, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin Flori Paluçi.). Si pasojë u vranë shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti”, sqaron policia.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të implikuar në konfliktin për motive të dobëta, të ndodhur rreth orës 01:25 të datës 22.10.2025, në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit F. P., 33 vjeç dhe A. K., 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:
-Erald Cani, 25 vjeç dhe Ergi Kadiu, 21 vjeç, si dhe shtetasit Taulant Beqja, 37 vjeç dhe Emirjan Beqja, 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim, shtetasit:
-D. P., 21 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi D. P. ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin F. P. (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari E. C.). Pas konfliktit verbal, shtetasi D. P. është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar E. K. dhe nga shtetasi A. K.. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi F. P., i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi D. P. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit F. P., të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve D. P. dhe A. K. (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin F. P.). Si pasojë u vranë shtetasit F. P. dhe A. K..
Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin D. P..
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit F. P., shtetasin D. P., si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A..
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për të siguruar çdo provë që do t’i shërbejë hetimit për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.