Një ngjarje e rëndë tronditi Durrësin në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, ku një sherr për kafen, u mori jetën dy të rinjve.
Ora shënonte 1:30 në një lokal pranë një karburanti, përballë komisariatit të policisë në Manëz, ku dy të rinjtë, Aranit Kurti 23 vjeç dhe Daniel Pepa, 21 vjeç ulen në tavolinë dhe i kërkojnë kafe kamerierit.
Kamerieri Alteo Pepa ishte ulur me Flori Paluçin, 33 vjeç, dhe i thotë dy të rinjve se nuk mund tu shërbente kafe, pasi ekspresi ishte i fikur.
Kjo i ka irrituar të rinjtë, dhe sherri mes tyre ka vijuar me ofendime dhe sharje. Sipas dëshmisë së kamerierit, në këto momente ka ndërhyrë Flori, i cili i ka thënë që t’i nuk mund ta fyesh pasi kamerieri është ulur në tavolinë me mua.
Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, rreth orës 01:45, i pari që ka qëlluar ishte Flori Paluçi i cili ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin. Vrasjet të dyja jashtë lokalit, pas nisjes së sherrit brenda në lokal.
“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1.30 dhe ka kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë. Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah dhe nisi debati mes tyre. Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”– tregon kamerieri.
Shtatë persona janë shoqëruar për të hedhur dritë mbi dinamikën e ngjarjes. Daniel Pepa, pasi vrau Flori Paluçin duke marrë hak për shokun e tij, është arratisur. Një nga viktimat, Paluçi, ishte me precedent penal, i arrestuar për tentativë vrasjeje. Edhe Daniel Pepa rezulton i arrestuar më parë për plagosje.
Policia thotë se ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe për kapjen e autorit, ndërsa gjithçka është regjistruar në kamerat e sigurisë.