Deputetja demokrate Jorida Tabaku në konferencën ndërkombëtare të organizuar me rastin e 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës theksoi rëndësinë e ekuilibrit mes vullnetit politik dhe kontrollit juridik, duke e cilësuar këtë si “shtyllën themelore të çdo demokracie moderne”.
“Në çdo shtet modern, Kushtetuta është akti më i lartë juridik. Mbi këtë themel ngrihet një ekuilibër delikat midis vullnetit politik të shumicës dhe kontrollit juridik të Kushtetutës. Parlamenti është shprehja e sovranitetit të popullit; Gjykata Kushtetuese është garancia që ky sovranitet të ushtrohet brenda kufijve të ligjit dhe të drejtës”, u shpreh Tabaku.
Tabaku u ndal edhe te pasojat që solli mungesa për tre vite e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë periudhë si “krizë të demokracisë kushtetuese”.
“Reforma në drejtësi, megjithëse u nis me qëllime të mira dhe me kontribut të rëndësishëm nga Partia Demokratike, e la vendin për tri vjet pa Gjykatë Kushtetuese. Në atë kohë Shqipëria ishte një shtet pa arbitër kushtetues. Çdo nismë që prekte balancat e pushtetit mbeti pa testin e kushtetutshmërisë. Dhe siç duket, maxhoranca u mësua pa të”, theksoi ajo.
Sipas Tabakut, kjo situatë u cilësua nga Komisioni i Venecias si “e paprecedentë në historinë e drejtësisë kushtetuese”, duke dëmtuar jo vetëm rendin institucional, por edhe procesin e integrimit europian të vendit.
“Kur një vend pranon të jetojë pa Gjykatë Kushtetuese, ai rrezikon të jetojë pa demokraci. Një shtet pa Gjykatë Kushtetuese është si një orë pa busull mund të ecë përkohësisht, por në drejtimin e gabuar”, shtoi Tabaku.