Revolta e tij në Kuvend dhe përplasja me Niko Peleshin, që më pas çoi në mbylljen e seancës plenare të së enjtes, mund t’i kushtojë Gazment Bardhit 30 ditë përjashtim nga punimet parlamentare.
Komisioni i Etikës do të mblidhet të hënën në orën 09:30 për të shqyrtuar kërkesën e socialistëve, që kërkojnë ta lënë Bardhin 1 muaj jashtë Kuvendit për shkak se, sipas tyre, ofendoi kryeparlamentarin Niko Peleshi.
“Gazment Bardhi ndërhyri në mënyrë të përsëritur me tone agresive, duke ndërprerë folësin, duke përdorur fjalë shumë të rënda fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit, veprime këto që përbëjnë shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të etikës parlamentare”, thuhet në kërkesën e socialistëve.
Kërkesa e socialistëve është firmosur nga 14 deputetë, mes të cilëve pjesa më e madhe, të ulur për herë të parë në këtë legjislaturë në karrigen e deputetit. Në sy, bie edhe firma e Zegjine Çaushit.
Përplasja e kreut të grupit parlamentar të PD me Niko Peleshin në seancën e së enjtes erdhi për shkak të procedurës, teksa para ligjvënësve raportonte Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Bardhi kërkoi që të ishin vetë deputetët që të parashtronin në seancë pyetjet për Komisionerin, por Peleshi refuzoi duke iu përmbajtur vetëm pyetjeve me shkrim të dorëzuara më herët nga deputetët.
Përplasja verbale mes tyre çoi në përjashtimin e Bardhit nga salla, por për shkak të refuzimit të demokratit për të lënë sallën, Peleshi kaloi në votim dhe mbylli seancën, sërish pa mbyllur diskutimet për rendin e ditës.