Ekipi kombëtar i Çekisë në futboll ka vendosur të shkarkojë trajnerin Ivan Hasek, vetëm disa ditë pas humbjes befasuese 1-2 ndaj Ishujve Faroe në kualifikueset për Kupën e Botës 2026. Hasek, i cili drejtonte kombëtaren që nga janari 2024, largohet nga drejtimi pas 21 ndeshjeve ku regjistroi 11 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje.
Vendimi erdhi pas një periudhe me performancë të keqe nga ekipi, që përfshinte eliminimin në fazën e grupeve të Euro 2024 me vetëm një pikë, megjithëse më parë arriti ngjitjen në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Presidenti i Federatës Çeke të Futbollit, David Trunda, deklaroi: “Qëllimi i ekipit të ri drejtues mbetet i pandryshuar, të arrijë në Kupën e Botës vitin e ardhshëm.”
Një trajner i ri pritet të emërohet për ndeshjet ndërkombëtare të nëntorit, ku Çekia do të përballet me San Marinon më 13 nëntor në një miqësore dhe me Gjibraltarin më 17 nëntor në ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin.
Nëse Çekia e mbyll Grupin L në vendin e dytë (Kroacia mban kreun), me gjasë një nga rivalët për t’u përballur në play-off mund të jetë edhe Shqipëria, gjithmonë në varësi të ndeshjeve të nëntorit dhe rezultateve të tyre.

















