Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka reagua ashpër në lidhje me ngjarjen e rëndë ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua në sallën e gjyqit.
Mes rreshtave, ministrja e re shkruan se forcat e policisë nuk kanë asnjë përgjegjësi për hyrjet dhe daljet apo sigurinë në gjykata.
“Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës.
Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Autori është ndaluar menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës”, shkruan ministrja.