Kryetari i PD Sali Berisha, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit, Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
Në rrjetet sociale, Berisha shpreh ngushëllime familjes Kalaja dhe të afërmëve të tij, si dhe dënon aktin kriminal.
Berisha kërkon dënim të rreptë për autorin e vrasjes.
“Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja.
Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri sallen e gjyqit, në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.
Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallen e gjyqit , dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend.
Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë“, shkruan Berisha në rrjete sociale.
Për ngjarjen ka reaguar, kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili është shprehur se “kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit”.
I tronditur është shprehur dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili e dënon këtë akt të rëndë, duke e cilësuar atentat makabër ndaj vetë sistemit të drejtësisë, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale.