Erion Veliaj është shkarkuar nga posti i kreut të Bashkisë Tiranë edhe nga Këshilli i Ministrave. Mbledhja e Qeverisë për të shqyrtuar shkarkimin e Veliajt u mbajt ditën e sotme, në orën 12:00.
Vendimi erdhi dy ditë pasi Këshilli Bashkiak miratoi propozimin për shkarkimin e Veliajt me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë. Ai ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej arrestimit më 10 shkurt.
Pritet të shihet lëvizja e kryeministrit nëse do ta dërgojë menjëherë vakancën në bashkinë e Tiranës për në presidencë, ku Bajram Begaj do të duhet që të shprehet brenda 48 orëve me një dekret për datën e zgjedhjeve. Apo kryeministri do të presë afatin 15 ditor, kohë deri kur Veliaj ka të drejtën të ankimojë këtë vendim të shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese. Një ankim i Veliajt do të bllokonte çdo procedurë të ndërmarrë, nga miratimi i shkarkimit në Këshillin Bashkiak, vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave dhe deri te mbajtja e zgjedhjeve. Veliaj e ka paralajmëruar mundësinë e një ankimi në këtë gjykatë.
Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend. Në rast se ankimi nuk ndodh, atëherë i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, të cilat Presidenti i Republikës do të duhet t’i shpallë menjëherë sapo të informohet për vakancën.