Një automjet tip “Ferrari” është sekuestruar nga policia e Tiranës. Automjeti që është me vlerë rreth 600 000 euro, dyshohet se është përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Në hetim është vënë edhe drejtuesi i automjetit, autor i kësaj veprimtarie kriminale në Turqi, Eri Vraja nga fshati Dritas i Fushë-Krujës. Vraja ka qenë i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas policisë, ky shtetas e kishte regjistruar në pronësi të një 36-vjeçari, këtë automjet, të cilin e kishte sjellë në Shqipëri, për llogari të tij, një 30-vjeçar.
“Nga hetimet e mëtejshme u identifikuan shtetasi të cilit 30-vjeçari ia kishte lënë në pronësi automjetin, me qëllim shmangien e gjurmimit, konkretisht 36 vjeç, si dhe shtetasi që kishte sjellë automjetin, në Shqipëri, për llogari të 30-vjeçarit, konkretisht 30 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 3 këta shtetas. Gjithashtu, vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit Eri Vraja ose të afërmve të tij, që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale, në Turqi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

















