Administrata e presidentit Trump dëshiron që Evropa të ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të bashkohet me sanksionet e propozuara që synojnë vendet që vazhdojnë ta bëjnë këtë, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
”Disa vende evropiane ende mbështeten tek Moska për të përmbushur nevojat e tyre energjetike, duke ndihmuar kështu makinerinë e luftës së Rusisë, megjithëse kanë ulur varësinë e tyre që prej pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Kremlini në shkurt 2022”, sipas një raporti të shkurtit nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër.
”Ndërkohë që Kina, India dhe Turqia përbëjnë gati 75% të të gjitha blerjeve të karburanteve fosile ruse me një total prej 187,3 miliardë dollarësh në shitje vitin e kaluar, vendet evropiane megjithatë blenë së bashku rreth 25,5 miliardë dollarë në vitin 2024”, sipas raportit të institutit kërkimor me qendër në Helsinki.
SHBA nuk importon naftë nga Rusia.
Këto shifra nënkuptojnë se Evropa shpenzoi më shumë për importimin e naftës ruse vitin e kaluar sesa për ndihmën financiare ndaj Ukrainës, e cila u vlerësua rreth 21,7 miliardë dollarë.
”Ideja e sanksioneve të propozuara nga SHBA-ja ka ekzistuar, por tani, pas javësh me përpjekje paqësore të bllokuara, presidenti Trump po i konsideron sërish ato, por partnerët evropianë duhet të jenë të gatshëm të bashkohen”, tha zyrtari i lartë.
”SHBA–ja dëshiron që Evropa të bashkohet me sanksionet dhe të ndalojë blerjen e naftës ruse”, tha ai.
Këshilltari kryesor i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, i tha ”The New York Post” se ai besonte që Evropa do të ishte e gatshme të bashkohej me SHBA-në nëse Uashingtoni do t’i vendoste sanksionet dhe premtoi ta përcillte këtë kërkesë tek liderët evropianë gjatë bisedimeve këtë javë.
Veprimi i Shtëpisë së Bardhë për bashkëpunimin evropian vjen pasi Trump tha të marten se është shumë i zhgënjyer me presidentin rus Vladimir Putin pas samitit të tyre të organizuar për paqen në Alaskë, pasi Putin vazhdon të bombardojë Kievin dhe të shmangë takimin me Zelenskyn.
”Jam shumë i zhgënjyer nga presidenti Putin, mund ta them këtë, dhe ne do të bëjmë diçka që do të ndihmojë njerëzit të jetojnë”, tha Trump për CNN.
”E dini, nuk është thjesht çështje e Ukrainës, është për të ndihmuar njerëzit të jetojnë. Po vdesin 7 000 njerëz çdo javë, kryesisht ushtarë, por 7 000 njerëz”, tha Trump.
Trump tashmë ka vendosur tarifa 50% ndaj Indisë pjesërisht për shkak të angazhimit të saj për të blerë naftë ruse.
”Ndërkohë, SHBA-ja gjithashtu dëshiron të shohë që Evropa të ofrojë më shumë për Ukrainën në aspektin e garancive të sigurisë në rast të përfundimit të luftës”, tha zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
”Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të shohin që evropianët të rrisin mbështetjen e tyre për sigurinë dhe mirëqenien e Ukrainës pas luftës”, tha burimi, pa dhënë detaje.