Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka bërë thirrje sot FBI-së amerikane, që të zgjerojë hetimet për miliarderin George Soros dhe të birin e tij Alex Soros deri në Shqipëri. Ai i bëri të njëjtën thirrje edhe qeverisë dhe Kongresit të SHBA-ve. Sipas tij, nëse hetojnë do zbulojnë se si Soros dhe i biri përdorën çdo lloj influence në favor të qeverisë së Edi Ramës.
“Thirrja ime për qeverinë e SHBA-ve dhe kongresin e SHBA-ve, thirrja ime për FBI-në, të shtrijnë hetimet e tyre për Xhorxhin dhe të birin edhe në Shqipëri gjatë 20 viteve dhe do gjejnë se si ata përdorën çdo lloj influence kundër një force politike në favor të ekstremit të majtë të Edi Ramës, bashkëshortes së tij dhe ish-bashkëshortes së tij, të gjitha drejtuese kryesore në fondacionin Soros, të ushqyera me miliona nga ky fondacion.
Të hetojnë politikën e jashtme të Xhorxh Sorosit, e cila në mënyrë absolute përputhej me Beogradin dhe binte ndesh me interesat e shqiptarëve, me politikën e ndjekur zyrtare të SHBA gjer në atë kohë, por dhe me politikën e ndjekur nga presidenti Donald Trump në mandatin e parë.
Iu bëj thirrje që duke përdorur aktin RICO, të hetojnë çdo veprim të Xhorxh Sorosit në të ashtuquajturën reformë kushtetuese dhe të drejtësisë, me të cilën kanë garantuar sot një pushtet që kontrollon mbi 95 përqind të çdo gjëje në këtë vend. Praktikisht pothuajse një monizëm të plotë.”, tha Berisha.
Kjo deklaratë e Berishës vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump, kërkoi përmes një postimi nisjen e hetimeve ndaj Sorosit për mbështetje të protestave të dhunshme.
Në rrjetin e tij personal, “Truth”, Trump i kërkoi drejtësisë që të ngrejë akuza ndaj tyre në bazë të ligjit RICO, i cili parashikon dënimet penale për organizatat kriminale dhe që kryejnë korrupsion. Presidenti amerikan i cilësoi multimiliarderin dhe të birin si “të çmendur” dhe paralajmëroi se nuk do të lejojë më që të shkatërrojnë Amerikën.