Një 38-vjeçar që lëvizte me makinë i armatosur në “Rrugën e Arbrit”, është arrestuar nga Policia e Tiranës, teksa rezulton i proceduar më parë për të njëjtën vepër penale.
Operacioni është koduar “Armed”, ndërsa u sekuestruan 1 armë zjarri automatike dhe municion luftarak. I arrestuari është B.B., 38 vjeç, banues në Burrel, ndaj të cilit u ngrit akuza “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas posedonte armë zjarri në automjetin me të cilin lëvizte, menjëherë kanë organizuar punën dhe si rezultat i operacionit të koduar “Armed” kanë lokalizuar dhe vënë në pranga 38-vjeçarin B.B., banues në Burrel”, thanë burime zyrtare.
Në Rrugën e Arbrit, shërbimet kanë ndaluar automjetin “BMW”, me drejtues të dyshuarin. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.