Aktori i njohur, Naun Shundi, po përballet me një sëmundje të rëndë. Ai ndodhet aktualisht jashtë shtetit, por pritet të rikthehet në atdhe ku do të marrë trajtimin pranë Qendrës së Specializuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Lajmin e bën të ditur ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë do të mbulojnë të gjitha shpenzimet e ndërhyrjes mjekësore të nevojshme.
Njoftimi i plotë:
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sqaron opinionin publik lidhur me gjendjen shëndetësore të aktorit të njohur Naun Shundi.
Pas njoftimit të marrë më datë 7 gusht 2025 nga MEKI, Ministria e Shëndetësisë është vënë menjëherë në kontakt me familjarët e aktorit dhe ka ofruar mbështetjen e saj të plotë. Fillimisht u garantua gatishmëria për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ndërhyrjes mjekësore të nevojshme.
Gjatë pritjes së rezultatit të biopsisë, u konstatua nevoja për mbështetje të mëtejshme në vijimin e trajtimit. Edhe në këtë fazë, Ministria rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të ofruar ndihmë të plotë.
Aktualisht, aktori pritet të rikthehet në Shqipëri, ku do të nisë trajtimin pranë Qendrës së Specializuar në QSUT”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.