Partia Demokratike ka marrë një tjetër denoncim nga qytetarë për ndërtim pa leje në Tiranë. Sipas informacioneve të tyre, objekti ndodhet në rrugën ‘Dervish Luzha’, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën ‘5 Maji’. Kështu shprehet në një deklaratë për mediat e zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli.
“Këto pamje të siguruara nga banorët tregojnë qartë ndërtimin e paligjshëm. Ata shprehen se kanë njoftuar disa herë Policinë e Shtetit, por nuk ka pasur asnjë reagim.
E njëjta situatë përsëritet edhe me strukturat kryesore inspektuese në nivel kombëtar për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilave u është bërë me dije shkelja, por pa asnjë ndërhyrje nga ana e tyre.
Sipas qytetarëve, zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura nga pronarët e biznesit që ushtron aktivitet në këtë objekt, dhe në këmbim, shkelja e ligjit injorohet” thuhet në deklaratën e saj.
Sipas Vangjelit, Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë situatën dhe veprojnë menjëherë, në mënyrë që të ndalohen abuzimet dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa mbrojtje për shkelësit.